Maqedonia e Veriut do të pranojë 450 refugjatë afganë

Maqedonia e Veriut do të pranojë 450 refugjatë afganë

Maqedonia e Veriut deri në fund të javës do të marrë përkohësisht 450 afganë që ikin nga kontrolli i talebanëve në vendin e tyre dhe kërkojnë viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, tha të martën qeveria e Shkupit.

Maqedonia e Veriut është vendi i tretë në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë miratuar një kërkesë nga administrata e Presidentit amerikan Joe Biden për të pranuar refugjatë afganë, shkruan Reuters.

Refugjatët që do të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut do të jenë punonjës dhe familje të punonjësve afganë “në misione humanitare dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizatat e të drejtave, gazetarë, përkthyes, studentë dhe mbajtës të bursave”, tha qeveria e Maqedonisë së Veriut në një deklaratë.

“Shumica e 450 qytetarëve (afganë) pritet të mbërrijnë deri në fund të javës, në varësi të kushteve në aeroportin e Kabulit”, njofton qeveria.

Mësohet se Shkupi gjithashtu do të pranojë afganët “të cilët kanë mbështetur trupat e NATO-s në 20 vitet e fundit, duke përfshirë ushtrinë e Maqedonisë së Veriut”, e cila kontribuoi ushtarë në forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në Afganistan në 2002-2008.

Të dielën, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thanë se të dy vendet do të strehojnë përkohësisht një numër refugjatësh afganë, destinacioni përfundimtar i të cilëve janë Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, refugjatët afganë duhet të verifikohen nga autoritetet amerikane dhe do të qëndrojnë derisa të rregullohet dokumentacioni për vizat e emigracionit në SHBA.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë anëtare të NATO -s.

Related Articles