Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), kanë nënshkruar në Washington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.
Kjo marrëveshje pritet që sot të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet prej orës 10:00 në seancë të re plenare dhe përkundër se tashmë rendi i ditës është përcaktuar, mund të ndryshohet me propozimin e deputetëve para se i njëjti të miratohet.
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington, Kryeministri Albin Kurti, paralajmëroi se marrëveshja do t’i prezantohet qysh sot Kuvendit pë ratifikim.
“Kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit të enjten për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje”, u shpreh Kurti.
Partitë opozitare gjatë ditës së sotme deklaruan se do të mbështesin marrëveshjen me MCC që do të thotë se ratifikimi nuk do të vihet në diskutim.
Parlamenti ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve.