Më shumë se 6,000 shqiptarë etnikë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi, sipas një studimi prej vitesh nga një akademike dhe ish-banore e Preshevës, Flora Ferati Sachsenmaier.
Shqiptarët etnikë janë fshirë sistematikisht nga listat e votuesve, duke i bërë ata de facto pa shtetësi dhe të paaftë për të marrë ose rinovuar dokumente identiteti, për të përfituar nga arsimi ose kujdesi shëndetësor, apo të regjistrojnë lindjen e fëmijëve të tyre, raporton Euracitv, transmeton Klankosova.tv.
“Në vitin 2015, unë po hulumtoja në këtë zonë dhe disa nga familjet, aktivistët dhe politikanët që hasa, vazhdonin të thoshin ‘po na fshijnë, po na fshijnë’”, tha Ferati, e cila ishte e para që dha alarmin për situatën.
Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga autorja e studimit, bazuar në listat historike të votuesve, sugjerojnë se 4,200 banorë në komunën e Medvegjës janë hequr dhe 2,000 të tjerë në Bujanovc raportojnë se janë çregjistruar.
Me zgjedhjet e trefishta në Serbi që po zhvillohen sot, heqja e një numri kaq të lartë të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve mund të ndryshojë rezultatin e votave.
Të dhëna të mëtejshme të mbledhura nga Ferati sugjerojnë se disa fshatra të Medvegjës kanë parë një rënie të popullsisë shqiptare mes 41 deri në 71 përqind, edhe pse ata nuk u larguan kurrë nga zona. Për shembull, në fshatin fshati Sfrice, numri i votuesve shqiptarë etnikë është ulur me 71,25 përqind mes viteve 2012 dhe 2019. Në Sijarinë, 70,64 përqind.
Sipas hulumtimit të Flora Feratit dhe dëshmive të mbledhura të banorëve, autoritetet serbe, nën mbulimin e ligjit të qëndrimit, pretenduan se po dërgonin njerëz për të verifikuar vendbanimet.
Këta të dërguar do të raportonin se banorët nuk mund të gjendeshin në adresën e tyre dhe do t’i dërgohej një njoftim Komisionit Zgjedhor. Familje të tëra më pas fshihen nga listat zgjedhore. Pa vendim të lëshuar me shkrim, nuk ka rrugë për ankim.
“Jo, ju nuk jetoni këtu, ju jetoni në Kosovë, ne nuk mund t’ju njohim”, ishte përgjigja e tyre që u jepej kryesisht shqiptarëve.
“Është e rëndësishme të kuptohet se ata po abuzojnë me ligjin. Çdo vend në botë ka një ligj për qëndrimin, por nuk ka asnjë vend në Evropë që abuzon me ligjin e vendbanimit për të synuar një grup të caktuar për të ndryshuar përbërjen etnike”, thotë Ferati.
Studiuesja shpjegoi se në Institutin Max Planck për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik, ajo kreu një studim me 500 shqiptarë të fshirë në Medvegjë, dhe vetëm 20-ve prej tyre iu dha një vendim me shkrim, i shtypur në gjuhën serbe, edhe pse ligji e lejon këtë në shqip.
“Ata e dinë se ajo që po bëjnë nuk është kushtetuese, kështu që duke mos lëshuar një dokument të shkruar, ata fshehin gjurmët”, shtoi Sachsenmaier.
Praktika e supozuar u quajt “spastrim etnik me mjete administrative” nga Komiteti i Helsinkit në Beograd.
Dëshmitë detajojnë mohimin e të drejtës për të punuar, mohimin për të marrë pension, refuzimin e çdo rekursi dhe të drejtën për të marrë pjesë në proceset demokratike. /Gazeta Enigma.