Mbrojtësit e Gucatit dhe Haradinajt kërkojnë lejimin e vizitave familjare për të paraburgosurit në Hagë

Mbrojtësit e Gucatit dhe Haradinajt kërkojnë lejimin e vizitave familjare për të paraburgosurit në Hagë

Është duke vazhduar seanca ndaj kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë. Kërkesë e mbrojtjes së dyshes gjatë kësaj seance ishte edhe lehtësimi i masave për lejimin e kontaktit fizik të mbrojtësve me klientët dhe vizitat familjare, raporton Gazeta Enigma.

Avokati i Gucatiti,  Jonathan Elystan Rees ka kërkuar caktimin e një date se kur do të hiqen këto kufizime për të paraburgosurit në Hagë.

“Ne jemi mirënjohës që me 4 qershor të fillojë procesi i vaksinimit. Ne kemi kuptuar nga zyra që të gjithë edhe stafi edhe të burgosurit do të vaksinohen deri më 4 qershor. Ne e kuptojmë që mund të ndodhin gjëra të paparashikuara, ne duam caktimin e një date për heqjen e kufizimeve lidhur me kontaktin fizik të mbrojtësve dhe vizitave familjare. Është e natyrshme që kur të gjitha palët të jenë të vaksinuar të hiqen këto masa. Kjo është kërkesa e jona”, ka thënë avokati i Gucatiti.

Në ndërkohë Toby Cadman, avokati i nënkryetarit, Nasim Haradinaj tha se masat kufizuese për mos lejimin e vizitave familjare janë të papranueshme.

Ai më tutje deklaroi se të paraburgosurit i kanë marrë të dyja vaksinat, dhe se tek rojet e burgut qëndron problemi.

“Duhet që të lejohet vizita për z.Haradinajn. sic e di z.Haradinaj i ka bërë të dyja vaksinat, e poashtu edhe të tjerët. Problemi është tek rojet e burgut dhe ndoshta kufizimet nuk do të hiqen deri në muajin korrik. Kjo është e papranueshme. Ne kemi kërkuar edhe këshilla mjekësore dhe na kanë thënë që këshillat që kanë marrë nga mjeku nuk janë me shkrim”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë çështje, në Speciale janë deklaruar edhe nga Zyra administrative.

Një nga përfaqësuesit e kësaj zyre tha se një gjë e tillë ende nuk mund të lejohet për shkak se sipas tij, masat janë në fuqi për tërë Holandën dhe jo vetëm për Gjykatën Speciale.

Më tutje ai tha se në fillim të muajit qershor të paraburgosurit në Hagë do të marrin edhe dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Gëzohemi vetëm për nevojën për shëndetin e të gjithë të burgosurve për shkak të pandemisë. Ne i respektojnë rregullat që janë vendosur për të gjithë në Holandë. Kufizimet shikohen vazhdimisht. Është dëshira dhe synimi jonë që të hiqen këto kufizime. Vaksinimi i dytë i të paraburgosurve është parashikuar për në në qershor. Ka edhe persona të tjerë, si rojet e burgut e të tjerë që mund të kenë ndikim në politikat që ndiqen”, ka thënë ai.

Aktualisht në Hagë të paraburgosur janë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Pejtër Shala, Hysni Gucati dher Nasim Haradinaj./Gazeta Enigma/

Related Articles