Media nga Beogradi: Greqia shumë afër për të thënë ‘Po’

Media nga Beogradi: Greqia shumë afër për të thënë ‘Po’

Deri më tani, rolin më të rëndësishëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës e kishte zyrtarisht Bashkimi Evropian (BE), ndërsa pushteti në hije i atribuohej SHBA-së, por kohët e fundit në storie gjithnjë e më shpesh përmenden “lojtarë” të tjerë, duke përfshirë Greqinë.

Spekulohet se po rritet presioni ndaj saj për ta ndryshuar qëndrimin e saj për pavarësinë e Kosovës dhe, ndonëse Athina zyrtare ende qëndron e palëkundur në qëndrimin e saj për mosnjohjen e saj, deklaratat që vijnë prej andej dëshmojnë pak më ndryshe, gjë që ka bërë që shumë të mendojnë ndryshe dhe nga aty po ndryshon situata, shkruan tabloidi serb, Blic.rs

Për këtë ka dëshmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kohë më parë tha se “Greqia na siguron se nuk do të ketë njohje”, por, rastësisht apo qëllimisht, kohëve të fundit kanë ndodhur disa gjëra që sugjerojnë se gjërat, megjithatë, mund të jenë ndryshe.

Një ndryshim kësisoji ndodhi me ardhjen e Joe Biden në postin e presidentit të SHBA-së, fakt ky që rezultoi me një koordinim më të madh në veprimet e Brukselit dhe Uashingtonit për çështjen e Kosovës, por edhe me një vendosmëri të dukshme për ta çuar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës drejt nje piste me serioze sa me shpejt.

Në çfarë drejtimi mund të shkonte, ishte e mundur të hamendësohej nga udhëzimet e dhëna së fundmi nga ish-sekretarja amerikane e shtetit dhe kreu i grupit me ndikim “Albright Stonebridge Group” Madeleine Albright. Në seancën dëgjimore në Kongres, ajo tha se “pavarësia e Kosovës dhe aftësia e saj për të vepruar si një vend i pavarur, nuk duhet të varet nga një marrëveshje me Beogradin”.

Presion mbi pesë vende

Menjëherë u shfaqën pretendimet se kjo mund të nënkuptojë konkretisht se BE-ja dhe SHBA-ja do të fokusohen në presionin e pesë vendeve të mbetura që nuk e kanë njohur Kosovën dhe javët e fundit është bërë e qartë se ky shtet mund të jetë Greqia.

Nuk u desh të prisnim shumë, hapat e parë tashmë janë hedhur. Athina ka një Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë në nivel ambasadori për dekada të tëra, edhe pse nuk ka ambasador dhe nuk mund ta ketë derisa ta njohë Kosovën.

Tani ajo shkoi një hap më tej dhe e ngriti nivelin e marrëdhënieve nga ekonomike në më të lartë, në nivelin e drejtorisë politike. Tjetri është ministror, ​​që në praktikë do të nënkuptonte njohje.

Ndonëse në vitin 2012 u njoftua se Greqia do të procedonte me “njohjen graduale”, që do të thotë hap pas hapi, duket se nën presion, ajo i ka përshpejtuar veprimet e saj dhe ka kaluar në një vrapim.

Qëndrimi i njëjtë, mendimi i ndryshëm

Disa do të thoshin se është një ekzagjerim, por se diçka po ndodh në prapaskenë, e bën të ditur edhe deklarata e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, se qëndrimi i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, por shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e cenon të drejtën ndërkombëtare”.

Krahas gjithë kësaj, në margjinat e forumit ministror në Dubrovnik, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, u takua me Dendijasin, ku në tryezë ishin dy tema: perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Mbetet pyetja pse zgjedhja i ra Greqisë dhe drejtori ekzekutiv i Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike, Marko Savkoviq, na kujton ndarjen në vende me qëndrim “të ashpër” dhe “të butë” për pavarësinë e Kosovës.

“Greqia u fokusua sepse i përket grupit të “jo-njohësve të butë”, Sllovakia dhe Rumania, të cilat kanë një marrëdhënie më fleksibël dhe që po mendojnë t’i përshtatin ato me marrëdhëniet e reja dhe realitetin e ri. Ata gjithashtu kanë një interes të caktuar, marrin pjesë në organizata ndërkombëtare, kanë partnerë të cilët e kanë pranuar, ka edhe qasje në treg, dhe nëse doni turistë nga ajo zonë”, shpjegon Savkoviq, raporton tutje tabloidi serb.

Edhe SHBA është përfshirë 

Në të gjitha këto ka gisht SHBA-ja, thekson ai, dhe në këtë aktualitet ka luajtur një rol të madh edhe fakti që po përballemi me një proces të ngadalësimit të dialogut.

“Atëherë të gjithë shikojnë ta anashkalojnë atë situatë. Është veçanërisht interesante që partia e qendrës së djathtë të Mitsotakis tregon më shumë mirëkuptim për “Vetëvendosjen” e Kurtit, mirkuptimmë të madhe që kishte Syriza, e cila si parti e së majtës duhet të jetë më e afërt ideologjikisht”, thekson ai.

Gjithnjë sipas tabloidid serb, Blic.rs, presioni i disa anëtarëve të BE-së ndaj Greqisë nuk ndalet, pasi gjendja e vështirë financiare për shkak të koronavirusit është terren i përshtatshëm për “ndikim”.

Njohja e të paktën një prej pesë vendeve të BE-së – Spanjës, Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë – do të konsiderohej një sukses i jashtëzakonshëm i diplomacisë së BE-së.

Opsioni i hapur i pranimit

Analisti gjeostrategjik grek Efthimios Petrou ka shprehur së fundmi mendimin se nuk është e pamundur që në fund krejt kjo të rezultojë me diçka pozitive.

“Meqenëse Dendias nuk e ka hedhur poshtë pa mëdyshje këtë mundësi, opsioni i njohjes mbetet i hapur,” tha Petrou.

Timothy Less, ekspert i Ballkanit dhe drejtues i projektit “Studimet e shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë të Universitetit të Kembrixhit shton tutje se sfondi i ngjarjeve të fundit janë marrëdhëniet e Athinës me Uashingtonin.

“Greqia është e shqetësuar për kërcënimin në rritje nga Turqia dhe ka kërkuar mbrojtjen e SHBA-së, e cila është zyrtarizuar gjatë muajve të fundit në një seri vizitash të nivelit të lartë dhe një marrëveshje të re sigurie. Në këmbim, Uashingtoni ka të ngjarë t’i kërkojë Greqisë të heqë dorë nga kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës, ajo që shohim është rezultat i kësaj – një hap praktik i Athinës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën”, thekson ai.

Loja nuk ka mbaruar

Less shton se Greqia nuk e ka njohur Kosovën, padyshim për arsye që janë aplikuar gjithmonë – solidariteti me Serbinë, mbrojtja e integritetit territorial të Qipros dhe shqetësimi për integritetin e territorit të saj përballë kërkesave të fqinjëve.

“Në këtë kontekst, unë nuk shoh që Greqia të bëjë asgjë më shumë sesa ajo që ka bërë tashmë për të kënaqur SHBA-në. Nuk do të luajë ndonjë rol në debatin për statusin e Kosovës dhe as nuk do të ushtrojë ndonjë presion ndaj Serbisë që ta njohë Kosovën” beson Timothy Less.

Megjithatë, loja nuk ka përfunduar për sa i përket SHBA-së.

“Ata tani mund të përpiqen t’i bindin vendet e tjera të BE-së që ta ndjekin shembullin grek. Raportet muajin e kaluar sugjeruan se Spanja mund të hapë një zyrë përfaqësuese në Prishtinë. Kjo me sa duket u mbështet nga Josep Borrell. Shtetet e tjera janë potencialisht të lakueshme. Rumania kërkon mbrojtjen amerikane nga Rusia ndërkohë që Qiproja përballet me një kërcënim nga Turqia. Kjo i vendos ata në një pozitë të varur nga e cila mund të përfitojë Uashingtoni – përfundon Timothy Less./Blic.rs

Related Articles