Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka reaguar pasi Serbia bleu sisteme raketore nga Kina, me ç’rast i kërkoi NATO-s, BE-së dhe OKB të shqyrtojnë qasjen destruktive të Serbisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Mehaj tha se me këtë rast po konfirmohet sjellja shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.
Ai në reagimin e tij pyeti se nga kush po rrezikohet Serbia dhe kundër kujt po armatoset ajo.
“Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë”, tha ai.
Ai tha edhe se “Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia. Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj”, shtoi tutje Mehaj.
I pari i Mbrojtjes ka kërkuar nga NATO, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal qasjen destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë.
“Prandaj, kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”. / Gazeta Enigma.