Ministri Mehaj në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Ministri Mehaj në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mirëpriti më shumë se 40 vende në takimin e dytë të Grupit të Kontaktit të Ukrainës, i mbajtur virtualisht, pothuajse tre muaj nga dita e fillimit të luftës në Ukrainë, shkruan GazetaEnigma.

Pjesë e këtij takimi virtual ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka publikuar një fotografi dhe videon hyrëse të këtij takimi, në të cilën Kosova po merr pjesë si anëtare e re.

“Sot, Ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj, virtualisht i është bashkuar Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III dhe kolegët nga shtetet nga e gjithë bota, të zotuar për ndihmë ndaj Ukrainës në luftën e saj ndaj pushtuesve rusë. Kjo është mbledhja e dytë e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ministri Mehaj pas takimit ka shkruar se Kosova, si një vend që ka përjetuar padrejtësi, si Ukraina, nuk e ka pasur të vështirë të pozicionet krah saj dhe kundër agresionit rus.

“Përkrahim plotësisht sanksionet e vendeve aleate ndaj Rusisë, e po ashtu jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë në koordinim me NATO-n, BE-n, strehim për refugjatët dhe për gazetarët të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus që nuk dëshiron që bota të kuptoj gjenocidin që po ndodhë”, ka shkruar Mehaj. / GazetaEnigma

Related Articles