Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, ndërsa ndër pikat e këtij projektligji, sipas njoftimit, është edhe falja tatimore për vitin tatimor 2023.
Pa dhënë shumë detaje, Qeveria ka thënë se ky ligj e ka për qëllim të sigurojë “progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësorë dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit”.
Por detaje në Facebook ka ofruar ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai ka thënë se projektligji parasheh që tatimpaguesit të mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumë 100 euro, apo sa lartësia e faturës.
Ai ka thënë se ligji parasheh edhe masa të tjera “që lehtësojnë barrën e qytetarëve, por edhe sigurojnë menaxhim më efikas të tatimit në pronë”.
Këtu ka përmendur lirimet tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore; kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor; zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.
“Uroj që edhe Kuvendi i Republikës ta trajtojë sa më shpejt në të dyja leximet, në mënyrë që tatimpaguesit të përfitojnë nga zbritja tatimore”, ka shkruar Murati.
Qeveria pati premtuar që në Ligjin e ri do të përfshihet dispozita për zbritjen e tatimit në pronë deri në 100 euro për faturën e vitit 2023, pas shtrenjtimit që iu bë muaj më parë.