Tifozët nga Mitrovica njihen si prej më fanatikëve në Kosovë, kur bëhet fjalë për skuadrën e tyre të basketbollit.
Ndonëse klubi ka njoftuar se biletat për ndeshjen e së dielës, dalin në shitje nga ora 10:00, radhët e gjata me tifozë janë krijuar që para orës 08:00 në mëngjes, për ta siguruar ulësen në “Minatori”, ku sot Trepça është nikoqire e Pejës.
Ky ballafaqim është i vlefshëm për xhiron e 26-të të Prince Caffe Superligës në basketboll.
Ani se mitrovicasit nuk kanë thuajse më mundësi për ta ndryshuar pozicionin e tyre në tabelë, meqë sipas të gjitha gjasave, ndeshjet e Play Off-it do t’i nisin nga pozita e katërt, dashuria e tifozëve për klubin duket që qëndron mbi çdo gjë.
Derbi ndërmjet Trepçës dhe Pejës nis në orën 17:00 dhe transmetohet direkt në Klan Kosova dhe Sport 1.