Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë një reagim pas arrestimit si rezultat i një aktiviteti të këtij subjekti politik pranë vendit ku po mbante konferencë Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale.
Molliqaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka vlerësuar se mbrojtja e UÇK’së është detyrë e kohës, derisa ka shtuar se ata që nuk e mbrojnë, marrin pozicion kundër Ushtrisë Çlirimtare.
“Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka pasur kritika edhe për pushtetin, duke akuzuar se të njëjtit po “ia japin zemër” fraksioneve brenda policisë që sipas tij, janë kundër UÇK’së.
Ky është reagimi i parë i Molliqajt pas arrestimit nga Policia e Kosovës, derisa ai dhe partia e tij po zhvillonin një aktivitet në prani të objektit ku mbante konferencë Trandafilova.
Postimi i plotë:
MBROJTJA E UÇK-SË ËSHTË DETYRË E KOHËS
Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.
Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë.
Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.
Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.
Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë, shkruan Gazeta Expres.