Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka përsëritur sërish mbështetjen e tij për marshin që do të zhvillohet të dielën në Prishtinë për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai tha se UÇK-ja nuk mund të gjykohet dhe se një proces i tillë ndaj krerëve të saj është i padrejtë, pavarësisht verdiktit final.
“Marshi për Drejtësi”, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”, do të mbahet më 2 prill nga ora 14:00 në Prishtinë, në solidarizim me krerët e UÇK-së në Hagë, para nisjes së procesit gjyqësor.
“Fillimi i “Procesit” të Hagës nuk duhet të kalojë si një lajm i rëndomtë protokollar. Për neve që besojmë se UÇK-ja nuk mund të gjykohet, ky është një proces i padrejtë pavarësisht verdiktit. UÇK është përpjekja-dëshmi. Marshojmë më 2 prill, si qytetarë të lirë, kundër qasjeve anakronike që gjykojnë përpjekjen për liri”, shkroi Mollqiaj në Facebook.
“Më 2 prill “Marshojmë për drejtësi”, në mbështetje të UÇK-së, në solidaritet me njerëzit që i kemi nën akuzë”, shtoi ish-deputeti.