“Opozita le të më quan tradhtar”, zbulohen bisedat e Kurtit në Tiranë

“Opozita le të më quan tradhtar”, zbulohen bisedat e Kurtit në Tiranë

Kryeministri Albin Kurti dje ishte tërë ditën në Tiranë, ku i informoi krerët e shtetit shqiptar rreth marrëveshjes së arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, mediumi ‘Lapsi.al’ raportoi të hënën se ka informacione për temat e folura në ato takime.

Kryetema e parë e takimit sipas mediumit ishte që të mos bihet në kurthin e Beogradit për ta paraqitur marrëveshjen vetëm si një pakt rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Draftet e para të aneksit që do paraqitej në Ohër kanë qenë të tmershme dhe ato vinin asocacionin në qendër, por falë këmbënguljes sonë u arrit që ai të trajtohet si një nga mbi 30 marrëveshjet e së kaluarës”, mësohet të jetë shprehur kryeministri.

Shqetësimi që ai ka treguar thuhet që është se Beogradi dëshiron të përqendrohet këtu ndërkohë që katër nenet e para të dokumentit janë shumë të disfavorshme për të, gati “një njohje de facto” e pavarësisë së Kosovës.

“Po të lexohen vërtet 4 nenet e para aty flitet se dy vendet angazhohen për respektimin e sovranitetit territorial të tyre, se do ti zgjidhin marrëveshjet vetëm në rrugë paqësore, se Serbia heq dorë nga përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, se ajo nuk do ta pengojë anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare dhe se si do njohë dokumentet e shtetit të pavarur”, thuhet në shkrimin e mediumit nga Shqipëria.

“Ishin pikërisht këto që e detyruan presidentin serb Vuçiç të mos nënshkruaj as në Bruksel as në Ohër. Këtu Albin Kurti ka rrëfyer një nga shumë sekretet e vogla të kurtheve që atij i janë ngritur gjatë negociatave. Kur palët kishin rënë dakord për të gjitha pikat atij i është ofruar që veçmas ta firmosë dokumentin. Ai ka qenë i gatshëm ta bëjë, por kur ka mësuar se Vuçiç nuk kishte ndërmend të kryente të njëjtin akt edhe vetë ka hequr dorë.  Sepse ky dokument nuk ka qenë i ngjashëm me marrëveshjen e Uashingtonit, ku Avdullah Hoti dhe Vuçiç nënshkruan veçmas”, vijon tutje artikulli i Lapsi.al.

“Atëherë tekstet ishin të ndryshme dhe palët mund të nënshkruanin veç e veç, ndërsa tani teksti ishte i njëjtë dhe ose duhet të firmosnim të dy ose asnjëri”, ka rrëfyer Kurti.

Ai ka treguar edhe për qëndrimet e Vuçiqit, që janë zbutur disi në takimet e fundit. Kurti pranon se i ka parë me kujdes rreth 15 modelet e ndryshme të trajtimit të minoriteteve në Evropë që i janë servuar, por ai refuzon të shprehet për ndonjërin prej tyre.

“Në negociata nuk mund të tregosh që në fillim atë që synon”, thotë ai me të qeshur, rrëfeu për Lapsi.al një dëshmitar nga bisedat.

I pyetur gjatë bashkëbisedimit për mundësinë për të fituar kohë dhe për ta zvarritur punën e asociacionit, Kurti nuk është treguar shumë optimist për këtë rrugë.

“Gjithçka duhet të mbyllet brenda një viti” është përshtypja e tij e palëkundur ndonëse duket qartë se mundësia e një presidenti të një asociacioni të komunave serbe, që do t’i bënte hije presidentes se Kosovës vazhdon ti’a prishë gjumin.

Jo i lehtë duket për të edhe zbatimi i nenit 7 të marrëveshjes për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Deri më tani ai ka mbajtur qëndrimin se këtë çështje nuk ka pse e negocion me Vuçiçin që është president i një republike laike që i ka të ndara punët e fesë nga ato të shtetit. Ai ka kërkuar ta trajtojë atë me përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe, që tani për tani refuzojnë të bisedojnë me të.

Ai i ka kërkuar edhe drejtuesve të shtetit shqiptar, në veçanti Ramës, specialistë të aftë në çështjet e religjionit ortodoks dhe të jurisprudencës në këtë drejtim. Pavarësisht nga marrëdhëniet e tendosura, Rama i ka premtuar ta ndihmojë, ndonëse siç është i bindur dhe vetë Kurti, ai e ka të vështirë të bëjë gjëra që i bien fort ndesh Vuçiqit.

I pyetur lidhur me presionin ndërkombëtar, që u shpreh që të nesërmen e marrëveshjes, për themelimin e asociacionit, Kurti nuk duket se ka ndonjë përgjigje të qartë.

Menjëherë pasi u pranua marrëveshja për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vet-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, edhe diplomatët amerikanë edhe ndërmjetësi Lajçak folën për themelimin e “asociacionit”, term që nuk përmendet asnjëherë në marrëveshje.

“Është e vërtetë që ka një mospërputhje të termave të dokumentit me gjuhën politike të përdorur për interpretimin e tij, por ndoshta kjo bëhet për të qetësuar atë që ka humbur më shumë”, thotë Kurti.

Fakti që Vuçiç nuk nënshkroi dhe që ai është detyruar ta njohë “de facto” Kosovën, konsiderohen si fitore nga kryeministri i saj.

Sa për të tjerat, lufta e brendshme politike, ku opozita ka filluar ta etiketojë si tradhtar, duket se nuk e merakosin Albinin.

“Le të vazhdojnë ta bëjnë, thotë ai me moskokëçarjen e njeriut që nuk i djeg miza nën kësulë. Madje me radikalizëm “më ndihmojnë në negociata”, sot më shumë se kurrë “kemi nevojë për një kundërshti të fortë për çdo gjë që besohet se i bën dëm Kosovës” është qëndrimi i një njeriu që ndonëse ka mbyllur një marrëveshje nuk ka shpëtuar nga presioni”, thuhet në artikullin e mediumit.

Related Articles