Molliqaj u bën thirrje partive opozitare t’i bashkohen protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

Molliqaj u bën thirrje partive opozitare t’i bashkohen protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, sërish u ka bërë thirrje tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK që t’i bashkohen protestës së nesërme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Në një konferencë për medie, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Molliqaj tha se protesta do të jetë paqësore, por nuk mohoi mundësinë e aksioneve simbolike para ekzekutivit.

Ai tha se propozimi i ZRrE-së duhet të hidhet poshtë dhe për një gjë të tillë do të angazhohen vazhdimisht. 

Ndryshe, Molliqaj ka thënë se në protestën e së shtunës do të jenë përfaqësuesit e të gjitha partive opozitare në Kuvend e jashtë saj.

“Propozimin e ZRrE-së nuk e mbështesin as deputetët e partive në pushtet por që nuk shprehen publikisht për një gjë të tillë. Këtë e bazoj nga takimet e shumta që kam pasur ditëve të fundit me qytetarë, gazetarë e analistë. Sigurisht se ata nuk mund të shprehen për shkak të funksionimit të LVV-së”, tha ai.

Ai thotë se opozita do të duhej të ishte e bashkuar në këtë kauzë.

“Kam takuar zotin Abdixhiku këtë javë, kam takuar zonjën Çitaku, pasi kryetari Krasniqi ishte me COVID-19 dhe kam biseduar në telefon me zotin Haradinaj. Ka një dallim në opozitë për këtë çështje. Nga dy partitë e mëdha mendojnë se armiku më i madh i Kurtit është vet Kurti, unë nuk e besoj këtë. Ata mendojnë se ne duhet të qëndrojmë anash derisa qytetarët ta shohin se Kurti nuk bën”, tha ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles