Laura Berisha, motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, “ua ka zënë rrugën” kryeministrit dhe ministrave të tij, derisa ata po ecnin në sheshin e Prishtinës, më përkrahje të kandidatit të tyre pçr kryeqytet, dhe ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti.
Para kryeministrit Albin Kurti e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e kësaj vrasje, e cila ngre dyshime për mënyrën e vdekjes së vëllait të saj.
Madje, ajo thotë se është injoruar nga minstri Sveçla, për të cilin thotë se ka kërkuar takim disa herë.
“Po ju pyes juve dhe zotri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në Doganë u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, thotë ajo.
Por çuditërisht përgjigje mori nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Jemi duke e luftuar dhe organet e rendit janë duke u marrë me gjitha këto”, përgjigjet Murati, por jo Kurti e Sveçla.
Por ajo insiston se përgjigje nuk kanë marrë asnjëherë për këtë rast.
“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Ju kemi votuar për me luftu krimin, vëllau im u vra më 17 prill në oborr të doganës dhe nuk kemi përgjigje që gjashtë muaj e gjysmë dhe na keni injoruar totalisht”, u shpreh ajo e mllefosur./Gazeta Enigma/