MSh-ja me apel për vaksinim, gripi sezonal zgjat deri në maj

MSh-ja me apel për vaksinim, gripi sezonal zgjat deri në maj

Ministria e Shëndetësisë edhe një herë i’u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, shkruan Gazeta ‘Enigma’.



Kjo ministri ka theksuar se sezoni i këtij gripi është deri në maj dhe se mënyra e vetme e mbrojtjes është vaksinimi, ku mund të parandalohen infeksionet, format e rënda të sëmundjes, shtrirja në spital dhe vdekjet.

“OBSh ka tërhequr vëmendjen për një sezon agresiv të gripit. Kosova, gjithashtu, ka regjistruar raste të gripit, që në këtë sezon po shfaqet shumë më agresiv se një vit më parë.  Të gjithë qytetarët e moshës mbi 6 muaj kanë të drejtë të vaksinohen. Përmes vaksinimit mund të parandalohen infeksionet, format e rënda të sëmundjes, shtrirjet në spital dhe vdekjet. Sezoni i gripit zgjat deri në maj, prandaj qytetarëve u rekomandohet që të vaksinohen”, thuhet në njoftim.

Infektologu, Salih Ahmeti në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se gripi shkaktohet nga viruset e Influencës A dhe B, virusi i gripit përhapet me anë të spërklave të nxjerra në ambientin e jashtëm nga njeriu i infektuar me kollitje, teshtitje, të folur apo drejtpërdrejt me kontakte të ngushta ndërnjerëzore.

Virusi i gripit fillimisht vendoset në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, e ndonjëherë arrin të zbresë deri në alveole-mushkëri dhe jep pneumoni.

Sipas Ahmetit periudha e inkubacionit (koha nga kontakti me virusin deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e shkurtër, 1-4 ditë.

“Sëmundja fillon shpejtë me temperaturë të lartë (38-40 C) që zgjat 3-5 ditë, dhembje koke, dhembje të muskujve e nyjeve, ndjenjën e lodhjes dhe këputjes, humbje apetiti,vështërsi në frymëmarrje,  ndonjëherë me të vjella dhe heqje barku(diarre)”.

Infektologu, Salih Ahmeti

Ai ka shtuar se krahas shenjave të toksikozës së përgjithshme shfaqen edhe ato lokale si tharje e fytit, lotim, rrjedhje e hundëve, kollë e thatë apo me sputum (këlbazë).

“Gripi mund të prekë të gjitha moshat receptive, por numri më i madh i rasteve takohet në moshat 5-15 vjeç”.

Ahmeti ka theksuar se “ndërlikimet e gripit janë të rralla e të lehta si sinuzitet, otitet, tonzilitet etj. Ndërlikimet më të rënda, që mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit janë ato pulmonare (pneumonia virale-primare, pneumonia bakterore-sekondare), kardikae (miokarditi, perikarditi) dhe neurogjene (Syndroma Reye, neuritet, radikulitet, encefaliti)”.

“Në Republikën e Kosovës (vaksinimi i përshtatur për kushtet e vendit), bëhet me monovaksinë dhe nuk vaksinohen fëmijët nën 7 vjeç. Ekziston edhe vaksina e gjallë virale për aplikim nazal, por nuk ka gjetur përdorim masiv”, ka theksuar Ahmeti.

Mjekimi është simptomatik

Njëherit, ai ka shtuar se “I sëmuri duhet të qëndrojë në ambiente të ngrohta dhe mirë të ajrosura, të përdorë lëngje frutash, çaj dhe vitaminë C”.

Këshillat e Ahmetit për tejkalimin sa më të lehtë dhe të shpejt të gripit sezonal janë përdorimi i këtyre medikamente.

“Për uljen e temperaturës dhe pakësimin e dhembjeve jepen antipiretik dhe analgjetik si paracetamol apo analgin. Te femijët nuk duhet dhënë acidi acetilsalicilik për shkak të rrezikut nga sindroma Rej”, ka deklarua ai.

Parandalimi

Ahmeti për Enigmën ka thënë se parandalimi i gripit sezonal bëhet me vaksinim, përdoret vaksina e mbytur e cila jepet çdo vit në muajt tetor ose nëntor.

Këtyre personave ju rekomandohet vaksinimi sipas Ahmetit.

“Vaksinën mund ta marrin të gjithë ata që nuk dëshirojnë të përballen me shqetësimet e gripit, por iu rekomandohet personave të moshuar (mbi 65 vjeç), personave me sëmundje kronike te zemrës, veshkave, mushkërive, mëlçisë, diabetikëve dhe atyre me imunitet të ulur”, ka deklaruar ai.

Kush duhet të marrë një dozë të kësaj vaksine e kush dy?

“Të rriturit dhe fëmijët deri 3 vjeç, marrin një dozë vaksine prej o.5 ml. Fëmijët nga 6-35 muaj marrin një dozë 0.25 ml. Nëse i rrituri ose fëmija vaksinohet për herë të parë, doza e dytë merret pas një muaji. Vaksina injektohet në muskulin e krahut, thellë nën lëkurë. Imuniteti postvaksinal zgjat 6-10 muaj”, ka theksuar Ahmeti.

Efektet anësore të vaksinës

Sipas tij “Efektet anësore të vaksinës janë të pakta: dhembje koke, djersitje, mialgji, artralgji, temperaturë të lehtë apo reaksione lokale si: skuqje, dhembje dhe fortësi përreth vendit të vaksinimit”.

Ndërsa reaksionet alergjike në lëkurë, konvulsionet dhe çrregullimet nervore janë të rralla, ka thënë ai.

Vaksina nuk rekomandohet për këta persona

“Personat alergjik në vezë apo në ndonjërën nga komponentët e vaksinës, personat me temperaturë të lartë ose sëmundje akute infektive, personat që trajtohen me kortizonik, citostatik (antitumoral) dhe personat me deficite të rënda imunitare”.

“Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse duhet të konsultohen me mjekun para se të vaksinohen”, ka theksuar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles