Ende nuk dihet se kur mund t’i largojë Bashkimi Evropian masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pavarësisht se kërkesa e tyre ishte që të ndërrohej pushteti lokal në katër komunat veriore, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Brukseli nuk po e sheh të mjaftueshme vetëm trazcionin demokratik në veri”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, për “Enigmën” thotë se për BE-në problemi kryesor mbetet fakti që Albin Kurti vazhdon të jetë kryeministër në detyrë.
“Sa i përket heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, realiteti është se Brukseli nuk po e sheh të mjaftueshme vetëm tranzicionin demokratik në veri. Për BE-në problemi kryesor mbetet fakti që Albin Kurti vazhdon të jetë kryeministër në detyrë. Raporti i besimit mes tij dhe partnerëve perëndimorë është thyer thellë dhe ai tashmë perceptohet si i paparashikueshëm dhe i vështirë për t’u menaxhuar nga aleatët”, deklaroi Muhaxheri.
Tutje ai ka theksuar se “për këtë arsye, sinjalet nga diplomacia evropiane tregojnë se masat nuk pritet të hiqen plotësisht sa kohë që Kurti është në krye të qeverisë. Heqja totale e tyre mund të vijë vetëm në një situatë të re politike, me një qeveri tjetër dhe me një qasje më bashkëpunuese ndaj BE-së dhe SHBA-së”. /Gazeta Enigma/
