Mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë – ëndërr apo realitet?

Mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë – ëndërr apo realitet?

“Unë jam i interesuar ta mposhtë opozitën në zgjedhje, por jo që ta zhduk” – kështu u deklarua në konferencën e fundit për shtyp, kryeministri Albin Kurti, kur u pyet për mundësinë e rrëzimit të tij nga pushteti, shkruan Gazeta Enigma.

Madje ai tha se rrëzimi potencial i tij, s’i konvenon as vet partive opozitare.

E në po të njëjtën ditë, ish partneri qeverisës i LVV-së, LDK-ja shpalosi 100 zotimet e tyre në rast të zgjedhjeve.

Mirëpo, sa reale janë gjasat për të pasur zgjedhje të reja parlamentare në vend?

 Profesori universitar dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, tha se rrjedhave politike nuk mund t’iu dihet dhe teorikisht është e mundur, mirëpo në praktikë, duke marrë parasysh situatën opozitare në parlament, është vetëm iniciativë “Don Kishotiane”.

“Rrjedhat politike nuk mund të parashihen, sepse mund të ketë qrregullime në barazpeshë politike mës pozitës dhe opozitës. Ka mundësi teorike të ketë zgjedhje të parakohshme, mirëpo praktikisht, nuk ka gjasa dhe numra demokratik, të cilët mundësojnë një matematikë të tillë. Iniciativa e AAK-së për mocionin e mosbesimit është iniciativë “Don Kishotiane”, sepse me 6 numra, me 6 deputetë, në një situatë ku tash opozita është totalisht e partikalizuar, ku për asnjë qështje nuk arrinë të akumulojë energji për substancë, për ta përmirësuar dhe rrezikuar shumicën e parlamentit, ajo mund të jetë vetëm një dëshirë utopike. Nuk ka gjasa sepse duhet të ketë unitet dhe përkrahje mes opozitës, e cila prej fillimit ka treguar se është e paaftë për të bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Tutje, Baraliu tha se as ‘kërcënimi’ i kryeministrit Kurti nuk ka gjasa reale të ndodhë pasi që edhe opozita e ka një shumicë në vete, dhe si e tillë nuk mund të zhduket lehtë.

“Ai po mendon se në zgjedhjet e ardhshmë do të fitojë dhe s’do të ketë opozitë, por ajo është vetëm një dëshire fantome do të thosha, dhe kapitali politik nuk krijohet kështu, mirëpo ajo është qështje e partive politike se si deklarohen, por nuk është reale, sepse nuk mund ta zhdukësh opozitën me një goditje lapsi” përfundoi ai në prononcimin për Gazetën Enigma.

Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazetën Enigma, konsideron se nuk është koha që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi që ka detyra tjera, dhe zgjedhjet duhet të mbahen sipas kohës së përcaktuar.

“Nuk pres zgjedhje të parakohshme në Kosovë, për shkak se dialogu me Serbinë duhet me u mbyllë brenda një viti sepse pastaj SHBA shkonë në zgjedhje presidenciale dhe disa shtete anëtare të BE, dhe vet BE i ka disa zgjedhje, kshtuqë konsideroj që nuk është momentumi që Kosova të shkojë në zgjedhje. Së pari duhet ta zgjidhim problemin që kemi me Serbinë, në kohën e përcaktuar, të rregullt, të mbahen zgjedhjet, ne janar të 2025-ës”, tha ai.

I pyetur rreth mocionit të mosbesimit të propozuar nga AAK, ai tha se ata duhet të jenë së pari të shqetësuar për përkrahjen politike që e kanë në opinion publik, e pastaj të mendojnë për zgjedhje.

“Nuk e di a i ka pa matjet e fundit të opinionit publik, dhe duhet të ishin shumë ma të shqetësum dhe nuk do të duhej të kërkonin zgjedhje sepse situatën nuk e kanë shumë mirë në terren. Momentalisht, partitë opozitare në Kuvend nuk kanë fuqi për zgjedhje të reja, sepse nuk kanë votë, e qeverija nuk beson që e rrëzon veten pasi opozita po kërkon” tha Raci.

Sa i përket deklaratës së fundit të km. Kurti mbi zgjedhjet e parakohshmë, Raci tha se fjalët e Kurtit janë pjesë e betejës politike.

“Kjo është betejë politike. Kryeministri ka qenë në presion të madh kohëve të fundit, dhe ka dhënë një përgjigje politike, në kuadër të zhvillimeve politike” shtoi ai. “Me rëndësi është që Kosova me pasë opozitë, por ma me rëndësi është me pas një opozitë që e bon betejën vet, dhe jo me ia bo betejën dikush tjetër, në këtë rast mediat dhe shoqëria civile” përfundoi Raci.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Kurti ka pasur më shumë mllef ndaj opozitës shqiptare se sa ndaj presidentit serb. “Albin Kurti tha se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, zhduket opozita në Kosovë. Më shumë pati mllef ndaj opozitës shqiptare se ndaj presidentit serb. Harroi se ka thirrë konferencë për negociatat me Serbinë dhe jo për ta sulmuar opozitën”, ka pohuar Tahiri në reagimin e bërë në Facebook.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kurti ka humbur fuqinë elektorale, prandaj sipas tij, edhe bën deklarata të tilla.

“Kryeministri Kurti ia filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partive të tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e dinë qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. /Gazeta Enigma/

Related Articles