Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë seancës së sotme në Kuvend i ka quajtur manipulime akuzat për punësimin e militantëve dhe familjarëve të VV-së në KEK.
Sipas Muratit opozita kritikon për çështje dhe problemet të cilat vet i ka shkaktuar.
Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar KEK-un, dhe se më herët nuk kishte pasur kurrë konkurs aty dhe në ndërmarrjet tjera publike.
“Sa për KEK-un, që po përmendet, nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, i tha Murati opozitës. “KEK-u ka shpëtu pikërisht sepse Lëvizja Vetëvendosje s’iu ka lënë me bë me KEK-un çka keni bë me Telekomin”, tha ai.
Konkursin e fundit në KEK, Murati tha se “po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”.
“Po i pyes qytetarët tash, se ju e di që s’përgjigjeni drejt. A keni dëgju ndonjëherë në 20 vitet e kaluar që është shpallur konkurs në KEK, Telekom, Postë apo diku tjetër. Unë s’kam dëgju kurrë”, tha ai.
Ndër te tjera,Murati tha se mijëra prej tyre janë punësuar me lista.
“Është dërguar lista dhe janë punësuar njerëzit”, tha ministri, ndërsa kujtoi se ekziston procesi ankimor për konkursin në KEK.