Murati reagon pasi Supremja ia shpalli të paligjshëm një Udhëzim Administrativ: Vendim absurd

Murati reagon pasi Supremja ia shpalli të paligjshëm një Udhëzim Administrativ: Vendim absurd

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për anulimin e Udhëzimit Administrativ që i hapte rrugë digjitalizimit të sistemit të arkave fiskale në Kosovë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Murati e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm dhe ka akuzuar sistemin gjyqësor për ruajtje të interesave të ngushta.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,”, shkroi ai.

Murati shtoi se, sipas tij, për shkak të këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të paguajnë mbi 5 milionë euro në vit për sistemin aktual.

“Bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit,”, theksoi ai.

Gjykata Supreme ka vendosur të anulojë Udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga Murati më 15 prill të këtij viti, përmes të cilit ishte paraparë pezullimi për 60 ditë i shitjes së arkave fiskale në vend.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se një ministër në detyrë nuk ka kompetencë për të nxjerrë Udhëzime Administrative, duke e cilësuar vendimin e Muratit si të jashtëligjshëm.

Related Articles