Mesazhe të qarta, e të fuqishme do të pres të hënën pala kosovare, nga vizita e të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të cilët do vijnë në Kosovë të hënën, më 31 janar, shkruan Gazeta “Enigma”.
E për këtë vizitë ka folur ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili për Gazetën “Enigma”, ka thënë se vizita e nesërme është tejet e rëndësishme, pasi ka për qëllim zhbllokimin e dialogut.
“E konsideroj si një vizitë të rëndësishme, parasëgjithash të përfaqësuesit të administratës amerikane, z. Eskobar. Qëllimi është sqaruar nga z. Eskobar dhe z. Lajçak e që në rend të parë ka të bëjë me lëvizjen nga vendnumrimi të procesit të dialogut”, ka thënë Mustafa.
Mustafa tutje tha se ekzekutivi kosovar duhet të jenë unik për t’i dhënë epilog dialogut, meqë ky proces nuk është problem i Amerikës, por i tyre.
LEXO EDHE: Asociacioni “dhurata” që Lajçak e Escobar mund t’i sjellin Kosovës të hënën
“Institucionet e Kosovës do duhej të jenë të përgatitura për t’i dhënë përgjigje kësaj sfide, e cila nuk është e lehtë por është pjesë e përgjegjësive që ato e kanë marrë së bashku me votën e qytetarëve. Duhet të tregojnë guxim dhe mençuri sepse problemi është i yni dhe jo i amerikanëve dhe evropianëve. Ata janë për të na ndihmuar”, është shprehur tutje ai.
Ndërkaq, nga 31 janari deri më 2 shkurt, Escobar dhe Lajçak do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Siç është thënë qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga ShBA. Dyshja “Escobar-Lajçak”, pas Kosovës do ta vizitojnë edhe Serbinë./Gazeta Enigma.