Mustafi: Pasivizimi i adresave mjet për pastrim etnik me metoda administrative

Mustafi: Pasivizimi i adresave mjet për pastrim etnik me metoda administrative

Gjykata Kushtetuese në Serbi sot ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës është një çështje që ka prekur drejtpërdrejt të drejtat dhe jetesën e mijëra shqiptarëve.

Ky fenomen, i cili lidhet me heqjen e adresave të banimit nga regjistrat zyrtarë, ka shkaktuar jo vetëm diskriminim, por edhe përjashtim nga shërbimet publike dhe proceset demokratike.

Në lidhje me vendimin e fundit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Serbisë, Gazeta ”Enigma” ka kontaktuar ish-kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili deklaroi se kërkesa e Safet Demirit ka kaluar të gjitha hallkat juridike, që në fund edhe Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar se është e njëanshme.

“Së fundmi sa i përket pasivizimit të adresave ka ardhur edhe vendimi i vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Serbisë të cilin e ka nxitur duke kërkuar të drejtën e tij për të qenë në pronën e tij dhe në tokën e tij dhe në truallin e tij dhe vatrën e tij Safet Demiri i Banjës së Sijarinës dhe duke kaluar të gjitha hallkat juridike në fund edhe Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar se është e njëanshme, nuk është e pavarur dhe është e nënshtruar politikisht prej rrjedhave politike të diktuara nga presidenti i Republikës së Serbisë”, tha Mustafi.

“Vendimet për pasivizimin e më shumë se 6 mijë shqiptarë në Luginë janë akte jo civilizuese dhe diskriminuese”

“Vendimi i fundit për Sadetin ashtu siç janë edhe vendimet për pasivizimin e më shumë se 6 mijë shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e posaçërisht në Medvegjë janë akte jo civilizuese të pa drejta e diskriminuese. Këto praktika diskriminuese duhet të ndërpriten sepse janë në kundërshtim me vlerat Evropiane ku tenton që Serbia të jetë pjesë e këtyre vlerave”, deklaroi Mustafi për “Enigmën”.

“Shqiptarët kanë luftuar për liri, barazi dhe drejtësi, për t’a arritur atë çfarë e kanë edhe popujt tjerë, nuk duan as më shumë as më pak se çfarë kanë të tjerët”, tha ai.

E në fund Mustafi theksoi se “Pasivizimi i adresave është vetëm një metodë tjetër e përdorur nga Institucionet e Republikës së Serbisë siç e cek dhe nënvizon komiteti i Elsingit, mjet për pastrim etnik me metoda administrative”.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka deklaruar se organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të adresave të shqiptarëve në Luginë.

“Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës”, tha Sinani.

Tutje ajo ka shtuar se “përveç legjitimimit të diskriminimit të skajshëm rreth pasivizimit, Gjykata Kushtetuese, me një vendim antikushtetues si ky, po punon në dekurajimin e shqiptarëve të Luginës në betejën e tyre për drejtësi e barazi”.

“Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë”

“Sadik Demiri është shembulli më i mirë i diskriminimit që po ua bënë shqiptarëve Serbia, e në të njëjtën kohë edhe shembull se si nuk duhet të dorëzohemi. Andaj, kur Serbia, nëpërmjet organit të saj më të lartë të drejtësisë po vazhdon avazin e vjetër, shqiptarëve të Luginës u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë”, ka deklaruar Sinani.

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Nevzad Lutfiu, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese në Serbi e ka legalizuar pasivizimin e adresës së një shqiptari nga Medvegja.

Lutfiu përmes një postimi në profilin e tij në Facebbok ka njoftuar se Safet Demirit i është refuzuar ankesa nga kjo gjykatë për kthimin e adresës.

Tutje ai ka shpjeguar se edhe institucioni më i lartë i drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.

“Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, sqaroi më tej Lutfiu./Gazeta Enigma/

Related Articles