Naser Pajazitaj flet për herë të parë pas daljes nga burgu: Nuk di asgjë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

<strong>Naser Pajazitaj flet për herë të parë pas daljes nga burgu: Nuk di asgjë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt</strong>

I akuzuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, të enjten e 6 prillit është liruar nga burgu. Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas, Apeli e dënoi me 35 vjet burgim.

Nga familja e Donjetës së ndjerë janë shprehur të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Supreme. Nëna e Donjetës, Lumnije Pajaziti në një intervistë për Periskopin është shprehur se ky vendim është i papranueshëm për familjen.

“Drejtësia edhe njëherë na vrau neve edhe Donjetën për së vdekuri”, thotë ndër të tjera nëna e Donjetës. Këtu vetëm korrupsioni, ose njoftësia, ose diçka është në pyetje. Ne përmes mediave e kuptuam se u lirua. Ky vendim ka qenë për ne katastrofë. Një vendim shumë i rëndë. Një person që dënohet me burg të përjetshëm disa herë. Kjo që e liruan, qysh mujti Gjykata Supreme me e marrë një vendim kaq të padrejtë, kur ka pas fakte të mjaftueshme për mos me ardhë deri tek lirimi. Supremja pse nuk e mori vendimin herën e parë, po e ktheu në rigjykim, e tash e liroi krejt. Çfarë drejtësie është,”- ka rrëfyer nëna e Donjeta Pajazitajt.

Në anën tjetër Naser Pajazitaj në një intervistë të shkurtër për Periskopin ka thënë se akuzat që i janë bërë kanë qenë për turp. Pajazitaj thotë se kjo ngjarje ia ka shkatërruar familjen.

“As që kam të bëj me të. As që di ndonjë gjë rreth kësaj vrasjeje. Unë është e vërtetë që tan verën kamë udhëtua drejtë asaj bjeshke… ne i punojshim do punë në bjeshkë, do vikendica. Atë ditë s’kam pas të bëjë apsolut për viktimën, as që e kam pa. Pas 2-3 ditë unë e kam kuptu që është e zhdukne. Kam qenë i bindun se drejtësia ka me dalë ne shesh. Për ka paraja e këto, këta vetëm koriten,”- ka deklaruar Pajazitaj.

Rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitajt pritet të trajtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

“Ka qenë shumë vendim i rëndë, tash do shkojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese, po presim njëherë me marr vendimin prej Gjykatës të shohim çfarë vendimi po na jepin, edhe pse psh këtu shpresa është krejt e humbur, do ta provojmë edhe këtë instancë e në fund ne duhet me u dorëzu, se me shtet nuk mundemi me u shty”, ka deklaruar vëllai i Donjetës, Shkëlqimi.

Kujtojmë se nga dënimi me 35 vjet burgim i shkallës së dytë, dy ditë më parë, Gjykata Supreme njoftoi se e ka liruar krejtësisht Naser Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e kushërirës së tij, Donjetës. Në këtë rast, janë shpallur disa aktgjykime të ndryshme, përfshirë tri dënime me burgim të përjetshëm.

Related Articles