Protestuesit serbë edhe sot kanë filluar të mbildhen në veri të vendit.
Protestuesit serbë kanë nisur të mblidhen para objekteve komunale në veri të Kosovës, për të kundërshtuar udhëheqjen e kryetarëve të rinj.
Pranë ndërtesave të Komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka prani të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit, raporton KosovaPress.
Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.
Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.
Kujtojmë se dje protestues me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.