Operacioni i sotëm në veri nga institucionet e Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta dhe tensione në vend, shkruan Gazeta Enigma.
Sa i përket kësaj çështje, Aleanca veri-atlantike, NATO, këtë operacionin e sheh si veprim për vendosjen e ligjit dhe thotë se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante.
Një zyrtar i NATO- ka thënë për Gazetën “Egnima” se “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.
Në përgjigjen e tij përsëritet se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë “mbetet tërërisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të githa komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
Në këtë reagim të këtij zyrtari të NATO-s thuhet edhe se “KFOR-i vazhdon të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së fundit për shtensionimin e tensioneve që kanë arritur Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, duke iu referuar pajtueshmërisë së arritur më 30 shtator.
Ndryshe, aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Policia e Kosovës ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.
Tutje, nga Policia kanë thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona, derisa janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra. /Gazeta Enigma/.