NATO ka deklaruar mbi tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova, duke theksuar se po përshtaten vazhdimisht me ndryshime, një pjesë e asaj që sipas tyre, është e nevojshme për të qëndruar gati dhe për të siguruar mbështetje të fuqishme për sigurinë dhe stabilitetin në rajone kyçe.
Një zyrtar i NATO-së, ka thënë se SHBA-ja e kishte bërë të qartë se pret që aleatët e NATO-s të investojnë dhe të kontribuojnë më shumë në sigurinë e përbashkët.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara plotësisht në Aleancën Veri-Atlantike dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në misionin paqeruajtës në Kosovë.
“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA e ka bërë të qartë gjithashtu pritjen e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët. NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati”, thuhet në përgjigjen e NATO-s për Dukagjinin.
Referuar listës së vendeve që kanë trupa ushtarake në Kosovë, janë më shumti nga Italia me 1 mijë e 258, ndërsa SHBA-ja ka 602.