“Ndahemi me letra me Serbinë, e legjitimon vula e Kuvendit”

“Ndahemi me letra me Serbinë, e legjitimon vula e Kuvendit”

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova dhe Serbia “ndahen me letra” përmes planit të Bashkimit Evropian për dialogun.

Duke shprehur mbështetjen ndaj marrëveshjes së dakorduar në parim mes Kosovës dhe Serbisë, Tahiri thekson se përmes së njëjtës fitohet edhe njohja ndërkombëtare për Kosovën. Megjithatë, ai thekson se duhet pasur kujdes në zbatimin e udhërrëfyesit të këtij plani, pasi, sipas tij, “djalli fshihet në detaje”.

Në anën tjetër, ai kërkon edhe konsensus ndërpartiak për planin e BE-së, pasi, siç tha ai, vula e Kuvendit e legjitimon atë.

Shefi i deputetëve të AAK-së, në një intervistë për KosovaPress, tha se porositë e faktorit ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për këtë marrëveshje janë shumë të qarta, andaj duhet pasur kujdes të madh se si trajtohet.

“Porositë e faktorit ndërkombëtar, në krye me ShBA-në, janë shumë të qarta për Kosovën. Është porosia e parë që Kosova dhe Serbia duhet njëherë e përgjithmonë të ndahen, njëfarë forme të ndahen me letra. Ndarja me letra mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshja evropiane dhe amerikane. Ndaj kësaj marrëveshjeje duhet të jemi shumë seriozw. Padyshim qw secili qytetar i Kosovës kur flet për një ndarje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dilema, pasi kemi të bëjmë me një armik të përbetuar tash e me shekuj. Mirëpo nëse e shohim marrëveshjen me një vështrim kritik, ka elemente, ku thotë se neni 10 se gjitha marrëveshjet duhet të hyjnë në zbatim, por ne fatmirësisht për Asociacionin e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por për çështje të tjera kanë të bëjnë me detyrimin që ia bën bashkësia ndërkombëtare Serbisë që tw ketw njohje ndërkombëtare ndaj Kosovës”, deklaroi Tahiri.

Tahiri kërkoi që institucionet e Kosovës tw mos i frikësohen këtij plani, pasi thotë se kur lexohet nuk figuron në veçanti Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por zbatimi në tërësi i gjithë marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, ku ka marrëveshje të favorshme për Kosovën që nuk po zbatohen.

Ai theksoi se në bazë të qëndrimeve që kanë marrë nga aleatët e Kosovës, integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetushmëria nuk do të preken në këtë ujdi.

Megjithatë, Tahiri kërkon nga kryeministri Kurti të ketë kujdes se si e trajton këtë marrëveshje dhe të mos e dëmtojë Kosovën, pasi deklaron se i njëjti shpeshherë ka pasur qasje të gabuar.

Në anën tjetër, Tahiri përmendi nevojën për bashkërendim të të gjithë spektrit politik për dialogun.

Ai tha se vetëm vula e Kuvendit do ta legjitimonte marrëveshjen me Serbinë.

Takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Albin Kurti, dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pritet të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe udhërrëfyesin e zbatimit të tij./Kosovapress

Related Articles