Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i i ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë të mërkurën në moshën 87 vjeçare.
Pas homazheve, Kurti tha se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavicë dhe Serbisë së Millosheviqit, mban vulën e Albright, dhe për këtë, kryeministri tha se do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës.
“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se do të kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori, diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në ShBA e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë është bërë sekretarja e parë e ShBA-ve grua, natyrisht se kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe 21”, tha Kurti.
Tutje Kurti e vlerësoi lartë figurëne Albright, duke rikujtuar veprimet e saj. “Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat e qytetarëve, orientimi i saj për demokracinë sociale e njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në ShBA e të Kosovës, por edhe në shumë vende të botës”, tha ai.
“Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim se mban vulën e Albright dhe për këtë do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti. / Gazeta Enigma.