“Ndërhyrjet e para emergjente në Kompleksin Memorial të Jasharajve pritet të bëhen qysh javën tjetër”.
Kështu bëri të ditur, kryeministri, Albin Kurti në mbledhjen e 3-të të Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të punimeve në Prekaz.
Kurti deklaroi se kanë nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit e nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi do të jetë tek masterplani.
Kreu i qeverisë u zotua se në afatin optimal do nisin punimet për të jetësuar planin e madh kombëtar.
Komiteti ka bërë përzgjedhjen e projektit, teksa u tha se do të ketë komision të ekspertëve që do jenë vendorë e të jashtëm.
Përbërjes së këtij komiteti i është shtuar edhe kryetari i ri i Skënderajt, Fadil Nura, e aty do të jetë edhe Bekim Jashari, tash vetëm si përfaqësues i familjes.