Në një kohë kur bota po përballet me një valë të re krizash ndërkombëtare – nga lufta në Ukrainë te konflikti në Lindjen e Mesme, Kosova dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë vlerësohet se nuk janë plotësisht në vëmendjen e Bashkimit Evropian, ndonëse do duhej të ishin, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kosova dhe Serbia, dy vende fqinje të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të tensionuar, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit, që synonin të krijonin kuadrin për normalizimin e marrëdhënieve, kanë hasur në pengesa të vazhdueshme në zbatim.
Por a duhet BE-ja ti mbajë “sytë hapur” kah Kosova e Serbia?
Ish-shefi i dialogut teknik me Serbinë, Avni Arifi, në një deklarim për “Gazetën Enigma”, ka theksuar se mungesa e një qeverie funksionale në Kosovë po ndikon negativisht në ecurinë e proceseve të dialogut me Serbinë.
“BE-ja nuk mund të vazhdojë proceset në mes Kosovës dhe Serbisë përderisa Kosova nuk ka qeveri. Kjo, natyrisht, është duke e dëmtuar Kosovën, veçanërisht sepse shumë fonde janë të bllokuara dhe gjithashtu po minohet kredibiliteti i palës kosovare në këtë proces”, theksoi ai.
Arifi tha se BE-ja do t’i kthehet dialogut, por çështja që shtrohet sipas tij është: me çfarë qasjeje?
“Pavarësisht shpërqendrimit, BE-ja do të rikthehet te temat e dialogut, por me çfarë determinimi, kjo mbetet në pikëpyetje – sidomos duke marrë parasysh krizat kudo nëpër botë”, përfundoi ai.
Kritika ndaj çasjes së BE-së karshi dialogut
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka kritikuar ashpër qasjen e Bashkimit Evropian ndaj politikës së jashtme, duke theksuar se vetë BE-ja gjendet në një krizë të thellë dhe të vazhdueshme.
“BE-ja, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të politikës së jashtme, është në një krizë të thellë dhe të vazhdueshme prej vitesh. Pra, ajo ka probleme serioze në aspektin funksional dhe substancial të vizionit për politikat dhe strategjitë e ndërtuara – thjesht nuk ka unitet”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Baraliu thekson se polarizimi mes ekstremit të djathtë dhe të majtë po ndikon gjithnjë e më shumë në drejtimin e politikave të unionit.
“Edhe po të kishte disponim dhe strategji – një vizion për politika afatgjata dhe jo shkurtpamëse, siç janë aktualisht – kjo tregon se BE-ja është në krizë të thellë. Ka gjithnjë e më shumë kontradikta dhe kundërshtime mes poleve të ekstremit të djathtë dhe të majtë, ku në zgjedhjet e fundit, ky i fundit gati sa nuk ka marrë prevalencën dhe po ndikon në politikat e saj. Në një situatë të polarizuar dhe në një botë ku po ndodhin ndryshime të mëdha të rendit ndërkombëtar, ku po dominon standardi i të fortit dhe jo parimet, BE-ja po humb gjithnjë e më shumë efikasitetin”, shtoi ai.
Baraliu ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës se si po trajtohet dialogu Kosovë–Serbi nga ana e Bashkimit Evropian dhe vendeve kyqe të saj.
Ai thekson mungesën e një strategjie të qartë dhe e cilëson si “të dështuar qasjen e deritanishme” të përfaqësuesve evropianë.
“Në marrëdhëniet dhe dialogun me Serbinë nuk ka fare strategji. Po ndodh i ashtuquajturi ‘eksplodim institucional’ i BE-së nga dy shtete dominuese – Franca dhe Gjermania – të cilat, përmes planit franko-gjerman të zhvilluar jashtë institucioneve të BE-së, si një iniciativë private por dominuese, nuk po respektojnë as standardet e vetë BE-së. Ky plan, Marrëveshja e Brukselit, Aneksi i Ohrit dhe projekt-statuti, që është një formulim euro-amerikan fatal për Kosovën dhe i papranueshëm, janë të gjitha projekte të pazbatueshme”, përfundoi ai.
Trump: Do ta rikthej dialogun Kosovë–Serbi
Në anën tjetër, para disa ditësh, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do t’i rikthehet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se paraardhësi i tij në detyrë, Joe Biden, i ka dëmtuar perspektivat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes vendimeve “budallaqe” që ka ndërmarrë, por ai premton se do ta rregullojë sërish situatën.
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë. Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!”, shkroi Trump në rrjetin social “Truth”./ Gazeta Enigma/