Në një kohë kur bota po përballet me një valë të re krizash ndërkombëtare – nga lufta në Ukrainë te konflikti në Lindjen e Mesme, Kosova dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë vlerësohet se nuk janë plotësisht në vëmendjen e Bashkimit Evropian, ndonëse do duhej të ishin, shkruan Gazeta Enigma.
Kosova dhe Serbia, dy vende fqinje të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të tensionuar, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit, që synonin të krijonin kuadrin për normalizimin e marrëdhënieve, kanë hasur në pengesa të vazhdueshme në zbatim.
Por a duhet BE-ja ti mbajë “sytë hapur” kah Kosova e Serbia?
Ish-shefi i dialogut teknik me Serbinë, Avni Arifi, në një deklarim për “Gazetën Enigma”, ka theksuar se mungesa e një qeverie funksionale në Kosovë po ndikon negativisht në ecurinë e proceseve të dialogut me Serbinë.
“BE-ja nuk mund të vazhdojë proceset në mes Kosovës dhe Serbisë përderisa Kosova nuk ka qeveri. Kjo, natyrisht, është duke e dëmtuar Kosovën, veçanërisht sepse shumë fonde janë të bllokuara dhe gjithashtu po minohet kredibiliteti i palës kosovare në këtë proces”, theksoi ai.
Arifi tha se BE-ja do t’i kthehet dialogut, por çështja që shtrohet sipas tij është: me çfarë qasjeje?
“Pavarësisht shpërqendrimit, BE-ja do të rikthehet te temat e dialogut, por me çfarë determinimi, kjo mbetet në pikëpyetje – sidomos duke marrë parasysh krizat kudo nëpër botë”, përfundoi ai.
Kritika ndaj çasjes së BE-së karshi dialogut
Analisti politik Mazllum Baraliu ka kritikuar ashpër qasjen e Bashkimit Evropian ndaj politikës së jashtme, duke theksuar se vetë BE-ja gjendet në një krizë të thellë dhe të vazhdueshme.
“BE-ja, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të politikës së jashtme, është në një krizë të thellë dhe të vazhdueshme prej vitesh. Pra, ajo ka probleme serioze në aspektin funksional dhe substancial të vizionit për politikat dhe strategjitë e ndërtuara – thjesht nuk ka unitet”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Baraliu thekson se polarizimi mes ekstremit të djathtë dhe të majtë po ndikon gjithnjë e më shumë në drejtimin e politikave të unionit.
“Edhe po të kishte disponim dhe strategji – një vizion për politika afatgjata dhe jo shkurtpamëse, siç janë aktualisht – kjo tregon se BE-ja është në krizë të thellë. Ka gjithnjë e më shumë kontradikta dhe kundërshtime mes poleve të ekstremit të djathtë dhe të majtë, ku në zgjedhjet e fundit, ky i fundit gati sa nuk ka marrë prevalencën dhe po ndikon në politikat e saj. Në një situatë të polarizuar dhe në një botë ku po ndodhin ndryshime të mëdha të rendit ndërkombëtar, ku po dominon standardi i të fortit dhe jo parimet, BE-ja po humb gjithnjë e më shumë efikasitetin”, shtoi ai.
Baraliu ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës se si po trajtohet dialogu Kosovë–Serbi nga ana e Bashkimit Evropian dhe vendeve kyqe të saj.
Ai thekson mungesën e një strategjie të qartë dhe e cilëson si “të dështuar qasjen e deritanishme” të përfaqësuesve evropianë.
“Në marrëdhëniet dhe dialogun me Serbinë nuk ka fare strategji. Po ndodh i ashtuquajturi ‘eksplodim institucional’ i BE-së nga dy shtete dominuese – Franca dhe Gjermania – të cilat, përmes planit franko-gjerman të zhvilluar jashtë institucioneve të BE-së, si një iniciativë private por dominuese, nuk po respektojnë as standardet e vetë BE-së. Ky plan, Marrëveshja e Brukselit, Aneksi i Ohrit dhe projekt-statuti, që është një formulim euro-amerikan fatal për Kosovën dhe i papranueshëm, janë të gjitha projekte të pazbatueshme”, përfundoi ai.
Çipa për dialogun: Është koha për veprime konkrete, presion të balancuar ndaj palëve, e një plan të qartë
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa vlerëson se mes tensioneve me të cilat po përballet bota, veprime konkrete, e presion i balancuar ndaj palës kosovare dhe serbe përmes dialogut është i domosdoshëm nga Bashkimi Evropian.
“Duke marrë parasysh zhvillimet madhore ndërkombëtare, por shpeshherë edhe pafuqinë e BE-së për të ndikuar në to, konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mundësi e shkëlqyer për të “korrur” një sukses. Është koha për veprime konkrete, presion të balancuar ndaj palëve dhe një plan të qartë për ecjen përpara”, theksoi Çipa për Enigmën.
Ai thotë tutje se për Bashkimin Europian zgjidhja e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak të interesit rajonal, por “edhe për të ruajtur besueshmërinë dhe ndikimin si faktor ndërkombëtar”.
“Për Brukselin, zgjidhja e këtij konflikti është strategjikisht e domosdoshme sepse bëhet fjalë për dy vende europiane me aspirata të qarta për anëtarësim, por edhe sepse vetë roli gjeopolitik i Europës varet gjithnjë e më shumë nga aftësia e saj për të menaxhuar sfida të tilla”.
Ai po ashtu thekson se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë më shumë se një mosmarrëveshje e thjeshtë dypalëshe. “Kjo për shkak se ato mbartin mundësinë për destabilizim rajonal dhe për ndikim të aktorëve të jashtëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të cilat kërkojnë natyrshëm të shfrytëzojnë boshllëqet strategjike të BE-së”.
Përkundër procesit të zvarritur të dialogut, Çipa thotë se “Nëse Ballkani percepton se BE-ja është më shumë spektatore sesa aktore, atëherë do të minohet besimi në proceset e integrimit dhe në rolin ndërmjetësues të Brukselit”.
“Nga BE nuk kërkohet vetëm angazhim, por edhe vizion strategjik për ta adresuar konfliktin. Në vitet e fundit kemi parë se si përpjekjet ndërmjetësuese kanë prodhuar fare pak rezultate konkrete ose zgjidhje reale. Më shumë ka qenë një proces që ka zvarritur vetveten, sesa ka pasur konkretësi”, theksoi ai.
Trump: Do ta rikthej dialogun Kosovë–Serbi
Në anën tjetër, para disa ditësh, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do t’i rikthehet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se paraardhësi i tij në detyrë, Joe Biden, i ka dëmtuar perspektivat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes vendimeve “budallaqe” që ka ndërmarrë, por ai premton se do ta rregullojë sërish situatën.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me forcë, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndalova atë”, shkroi Trump në rrjetin social “Truth”./Gazeta Enigma/