Spitalet e vendit në prag të limiteve, mbushen me pacientë edhe dhomat e personelit shëndetësor

Spitalet e vendit në prag të limiteve, mbushen me pacientë edhe dhomat e personelit shëndetësor

Në Klinikën Infektive në QKUK janë duke u trajtuar 118 pacientë me COVID ku prej tyre 105 janë në gjendje të rëndë e me oksigjeno-terapi.

Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj, ka thënë se gjashtë pacientë janë në intensivë.

Vishaj ka bërë të ditur se kapacitet e klinikës janë të mbushura dhe se pacientët po i referojnë në pjesë të tjera të spitaleve Covid.

“Në Klinikën Infektive  janë 118 pacientë prej tyre në gjendje të rëndë janë 105 duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe 6 pacientë janë në intensivë. Kapacitetet e Klinikës Infektive janë të mbushura dhe pacientët që vijnë tani i referojmë në pjesë të tjera të spitaleve Covid në kuadër të QKUK”.

Ai sqaroi se 99% e rasteve janë të infektuar me varantin Delta, duke shtuar se kjo tregon se sa i rrezikshëm është ky variant.

“Aktualisht kemi filluar të bëjmë hapjen e mjekimit intensiv në Klinikën Infektive pra një repart i cili ka qenë për pacientë të Klinikës Infektive. Tash kemi filluar procedurat që të pranojmë pacientë që janë në gjendje kritike me 12 respiratorë dhe shpresojmë që mos të mbushet, por jemi të gatshëm që shumë shpejt t’i adoptojmë këto hapësira”.

“Mbi 99% është prezent varianti Delta dhe vetë prania e një numri të madh të infektuarve tregon seriozitetin e këtij varianti. Ne për momentin kemi oksigjen të mjaftueshëm. Barnat që janë listën eseciale i kemi edhe më tutje rendesiviri blihet nga pacientë”.

Puna e spitaleve dhe klinikave që trajtojnë pacientët me COVID-19, siç thotë Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi për Radion Evropa e Lirë, është vështirësuar për shkak se fluksi i pacientëve është shënuar brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Përveç në dy ditët e fundit, sipas tij, në 10 ditët paraprake, për çdo ditë janë evidentuar rreth 80 pacientë të rinj të prekur nga COVID-19, të cilët janë shtrirë dhe marrin trajtim spitalor nëpër klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme rajonale. Kapacitetet për pranimin e pacientëve me COVID-19, siç thotë ai, janë në prag të limiteve.

“Në shumicën e spitaleve të përgjithshme, sikurse edhe në klinikat e QKUK-së, situata është shumë e rënduar për faktin se jemi detyruar që shumë shërbime të tjera të pezullohen dhe të zëmë shtretërit për pacientët me COVID-19. Në disa spitale, madje kemi filluar që edhe dhomat e personelit shëndetësor t’i shndërrojmë në dhoma për pacientë, siç është rasti në spitalin e Gjilanit dhe në spitalin e Ferizajt. Po ashtu, në QKUK, tashmë kemi pesë klinika që janë shndërruar tërësisht në njësi për COVID-19”, tha drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ai shtoi se brenda QKUK-së, Klinika Infektive, Pulmologjia dhe Dermatologjia, objekti i Mjekësisë Sportive, një njësi e veçantë e kujdesit intensiv, tashmë janë shndërruar në njësi për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Po ashtu, reparte të veçanta për pacientët me COVID-19 tashmë ka edhe në Pediatri dhe në Gjinekologji.

Related Articles