Në prag të zgjedhjeve lokale Gjilani “kthehet përmbys” nga punimet insfrastrukturore

Në prag të zgjedhjeve lokale Gjilani “kthehet përmbys” nga punimet insfrastrukturore

Ndonëse zgjedhjet lokale janë caktuar të mbahen me 12 tetor, në qytetin e Gjilanit, tek pas katër viteve në krye me Alban Hysenin e Lëvizjes Vetëvendosje kanë “lulëzuar” punimet, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në këtë qytet në shumë rrugë janë duke u kryer punime në të njëjtën kohë, gjë që ka shkaktuar edhe shqetësime tek qytetarët për shkak që shumica e rrugëve janë të bllokuatra për qarkullim ose vështir për tu kaluar.

Drejtori për Shërbimeve Publike në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi, për Gazetën “Enigma” ka treguar afatet optimale se kur këto punime pritet të përfundojnë.

Ai ka thënë se deri në fillim të javës së ardhshme dp të përfundojnë punimet në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, në Dheun e Bardhë.

“Është duke u punuar te rruga “Hamdi Kurteshi” ku aktualisht janë duke punuar tri ekipe operim kanali, rregullimin e rrugës dhe infrastruktura nëntokësore. Po ashtu jemi duke punuar edhe në rrugën “Lidhja e Prizrenit” rruga për lagjen Arbëria tek qendrat tregtare ku po punohet në kanalizimin e rrjetit atmosferik”, ka deklaruar ai.

Tutje Ibrahimi ka njoftuar se janë duke punuar edhe në projektin e Kodrës së Dëshmorëve, të cilën presin që t’a përfundojnë deri më 15 qershor.

“Jemi duke punuar edhe në projektin e Kodrës së Dëshmorëve në rrugën 7 Shtatori që lidhet me Kodrën e Dëshmorëve, të cilën jemi duke u munduar t’a përfundojmë deri në ditën e çlirimit që e kemi më 15 qershor”, tha Ibrahimi për “Enigmën”.

Përveqë disa lagjeve në qytet Ibrahimi ka njoftuar se punime janë duke u kryer edhe në disa fshatra.

“Punime ka edhe në fshatin Kokaj, në fshatin Livoq të Epërm ku janë duke u përgatitur për shtresën e fundit të tha prit dhe mandej me fillu edhe me asfaltimin e rrugëve”, tha ai.

Pas përfundimit të punimeve Ibrahimi tha se në Dheun e Bardhë do të bëhet asfaltimi i rrugës komplet ku janë duke u kryer punimet, ndërsa në rrugën Lidhja e Prizrenit do të shtrohet me asphalt vetëm pjesa ku janë kryer punimet jo komplet rruga.

“Në Dheun e Bardhë është duke punuar Hidromorava në rrjetin e ujit të pijes, po ashtu Hidromorava të njëjtat punime është duke i kryer edhe në rrugën 7 Shtatori. Në Dheun e Bardhë posa të përfundojnë punimet do të bëhet edhe asfaltimi i komplet asaj rruge, ndërsa në rrugën për lagjen Arbëria në momentin që përfundojnë punimet dhe bëhet ngritja e pusetave në nivel në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme do të kryhet edhe pjesa e asfaltit vetëm aty ku është hap kanali për punime”, deklaroi ai.

Ibrahimi tutje ka shtuar se është në dijeni për kaosin që është shkaktuar nga këto punime dhe për shqetësimin që kanë pasur qytetarët, por që sipas tij “pa u përfunduar punimet nuk ka pasur mundësi që të shtrojnë edhe shtresën e asfaltit që most të krijojnë kolona dhe dëme në veturat e tyre”.

Përpos rrugëve, Komuna e Gjilanit ka nisur edhe punime të tjera. Ndërtesa e njohur si “Soliteri” tek rruga “Bulevardi i Pavarësisë” ka nisur të renovohet.

Punimet po vazhdojnë edhe tek Stacioni i Autobusëve, Stadiumi i qytetit.

PDK-ja kritikon kaosin e krijuar në qytet

Kryetari i Partisë Demokratike në Gjilan, Riad Rashti, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se Gjilani është shndërrua në një kantier rrëmujë për marketing politik.

“Në prag të fushatës zgjedhore, Gjilani është shndërruar në një kantier rrëmujë, jo për zhvillim real, por për marketing politik. Kaluan tri vite me premtime boshe, fjalime të stërzgjatura dhe mungesë të projekteve konkrete, kryetari aktual i komunës po përpiqet të krijojë një iluzion të rremë të punës, me rrugë të hapura gjithandej, punime pa plan dhe komunikacion të bllokuar”, tha ai.

Tutje Rashiti ka theksuar se “qyteti është zhytur në kaos urban. Rrugë të bllokuara, kolona të gjata, pengesa të mëdha në qarkullim dhe mungesë e plotë e koordinimit institucional. Bizneset lokale janë të dëmtuara, qytetarët të irrituar, ndërsa askush nuk ofron sqarim se pse punët nuk janë kryer gjatë tre viteve të qeverisjes, por pikërisht tani në kohën e para fushatës”.

“Parafushata me asfalt dhe me shumë zhurmë e kaos në qytet”

“Ky veprim është një manovër e pastër elektorale, e cila ofendon inteligjencën e qytetarëve të Gjilanit. Sepse qytetarët i njohin mirë dallimet mes punës së vërtetë dhe fasadës së rrejshme. E dinë që pas tri vitesh pa vizion, nuk mjafton pak asfalt për të mbuluar mungesën e rezultateve”, tha Rashiti për “Enigmën”.

Sipas Rashitit Gjilani meriton më shumë sesa propagandë. Ka ardhur koha për punë të ndershme, me plan, jo me ngut

“Shumë zhurmë, shumë mjete propagandistike, por asnjë vlerë e qëndrueshme për qytetin. Investimet e vërteta nuk bëhen me ngut e pa plan, por me përgjegjësi, me transparencë dhe me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje”, tha ai.

“Në vend të përpjekjeve të dëshpëruara për të “bërë diçka” para zgjedhjeve, Gjilanit i duhet një model i ri qeverisjeje: me punë të vazhdueshme, me plane afatgjata, dhe me qytetarin në qendër, ama jo me mbet në trafik gjatë tërë ditës”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles