Një broshurë me thirrje për mosvaksinim është duke u shpërndarë nga disa persona në kryeqytet.
Ndonëse nuk japin më shumë informacione, ata lirshëm në sheshet e Prishtinës, po i furnizojnë qytetarët me të tilla broshura. E një gjë të tillë, Ministria e Shëndetësisë thotë se e ka parasysh, duke u bazuar edhe në skepticizmin e shumë personave për vaksinim kundër COVID-19.
Brenda broshurës gjenden informacione si “në vaksina gjendet dhjam derri”, “në vaksina ka qeliza të majmunëve”, “në vaksina gjenden pjesë të organeve nga fëmijët e abortuar”, “askush nuk duhet t’i marrë ato vaksina, në asnjë rrethanë”, “nëse besoni në sakrifikimin e fëmijëve tuaj atëherë vaksinojeni atë”, e të tilla thirrje të cilat si qëllim kryesor kanë mosvaksinimin e qytetarëve. Të njëjtat informacione sipas kësaj broshure, janë dhënë nga profesionistë shëndetësorë.
Koha i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë nëse ka informacione se fushata të tilla po bëhen lirshëm në kryeqytet. Në përgjigjen e marrë thuhet se që nga zbulimi i vaksinës kundër COVID-19 ka pasur konspiracionistë në çdo vend që kanë bërë ‘luftë’ kundër vaksinimit duke shpërndarë teori konspirative dhe dezinformata, përcjellë Gazeta “Enigma”.
E sipas MSH-së, edhe në Kosovë ka të tillë që merren me të njëjtën gjë, porse shtojnë se nga tetori i vitit të kaluar e deri në korrik të këtij viti, kjo kategori është reduktuar.
“Edhe në Kosovë, fatkeqësisht ka një kategori njerëzish që merren me gjëra të tilla, por të cilët në bazë të hulumtimeve të bëra, pesë raunde, tetor 2020-korrik 2021, kanë ardhur duke u reduktuar dhe duke pasur numër më të vogël të atyre që hezitojnë për marrje të vaksinës. Veprime të tilla kanë qenë të parashikueshme sepse gjithmonë ka pasur, jo vetëm kundër vaksinave COVID-19 por edhe ndaj vaksinave tjera, shembull edhe ndaj vaksinës kundër gripit të derrit AH1N1 (2009-2010)”, thuhet në përgjigje.
Ministria e Shëndetësisë thotë t’i ketë adresuar këto veprime tek organet përgjegjëse. Gjithashtu thotë se ka punuar edhe me komunitetin e ekspertëve dhe influencuesve të ndryshëm që përmes dhënies së fakteve për rëndësinë e vaksinimit, këto teori të mos ndikojnë te popullata e përgjithshme.
“Fakti që vaksinimi ka arritur një shkallë relativisht të mirë, tregon se popullata ka përqafuar më tepër faktet për rëndësinë e vaksinimit, përkundër që ka ende hezitues dhe madje edhe refuzues të vaksinave”, duke përmendur edhe ekipin mobil i cili është vendosur në shkollën “Xhevdet Doda” në kryeqytet, e që sipas MSH-së ka interesim shumë të madh të nxënësve për t’u vaksinuar.
MSH-ja thotë se në të njëjtën kohë është duke punuar përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit dhe përmes një fushate të re që të binden edhe të tjerët për t’u vaksinuar, përderisa sipas tyre, është afër edhe vendimi për fillimin e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Këto ditë është raportuar për numër të vogël të të vaksinuarve edhe në qendrat tregtare apo edhe në aeroport ku janë vendosur ekipet mobile për vaksinim.
Sipas të dhënave zyrtare në 24 orët e fundit janë dhënë 1627 doza të vaksinës kundër COVID-19. Ndërkaq prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.610.960 doza të vaksinës. E që deri më sot 759.134 njerëz janë vaksinuar me dozën e dytë.
Në anën tjetër Rregullatori Evropian i Barnave ka autorizuar vaksinën Pfizer kundër COVID-19 për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç, duke lëshuar rrugë që doza të administrohen në miliona fëmijë të shkollave fillore në mesin e një vale të re të infektimeve.
Javëve të fundit shumë vende të Evropës gjithashtu edhe ato të rajonit janë përfshirë nga një valë e re e infektimeve./Gazeta “Enigma“/