Nesër Dita “D” për formimin e Qeverisë – Konjufca tenton edhe pse s’i ka numrat

Nesër Dita “D” për formimin e Qeverisë – Konjufca tenton edhe pse s’i ka numrat

Pas dështimit të kabinetit të propozuar nga Albin Kurti më 26 tetor për të marrë 61 votat e domosdoshme, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në tentativën e dytë kandidaturën e Glauk Konjufcës për postin e kryeministrit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Megjithatë, shanset që ai të sigurojë shumicën parlamentare vlerësohen minimale, teksa blloku opozitar ka dalë publikisht me një qëndrim të unifikuar: “Jo” Qeverisë Konjufca.

Opozita e bashkuar për zgjedhje të reja

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin asnjë tentativë të LVV-së për të krijuar Qeverinë e re.

PDK ka konfirmuar se s’ka marrë as ftesë për takim, ndërsa deputeti Ferat Shala thotë se qëndrimi i partisë është i pandryshueshëm.

“Nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së. Jemi duke u përgatitur për zgjedhje.”

Edhe LDK shprehet në të njëjtën linjë. Deputeti Alban Zogaj theksoi se nuk ka pasur komunikime zyrtare apo jozyrtare me Vetëvendosjen.

“Qëndrimi ynë për ditën kur paraqitet kabineti i ri është i qartë: votë kundër.”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zbulon se ka refuzuar ftesat e ardhura nga njerëz të kabinetit të Konjufcës.

“E kemi bërë të qartë se s’do të japim votë për Konjufcën. Oferta ka pasur, por kryetari Haradinaj nuk ka shkuar në takim.”, deklaroi Time Kadriaj.

Ndërkohë, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate ka folur për riformatimin e skenës opozitare, duke kërkuar krijimin e dy apo tre poleve të forta që ta maksimizojnë votën kundër qeverisjes aktuale.

“Besoj fort se me një kandidaturë serioze dhe një ekip të komponuar mirë, zgjedhjet mund të prodhojnë kryeministrin e ri nga opozita.”

Analistët: përpjekje e LVV-së vetëm për shtyrje në kohë

Analisti Leon Duhanaj ka qenë i ashpër në vlerësim, duke e cilësuar propozimin e Konjufcës si manovër politike për të fituar kohë:

“Ky propozim nuk kishte për qëllim rezultat. Kryeministri uzurpator Kurti e ka mbajtur vendin peng 8 muaj. E njëjta logjikë është edhe me Konjufcën.”

Ai shton se përgjegjësinë politike duhet ta mbajnë si Kurti, ashtu edhe presidentja Vjosa Osmani:

“Zgjodhi të bëhet vegël e Kurtit për qëllime politike, edhe pse e dinte se nuk ka shpresë për bashkëpunim.”

Ndërsa avokati Ardian Bajraktari thekson se nuk është parë asnjë tentativë serioze për të arritur marrëveshje të mundshme:

“Gjasat janë minimale. Nuk janë numrat e nevojshëm. Puna po rezulton të ketë qenë vetëm kohë e shpenzuar për qëllime elektorale.”

Ora po tik-takon – seanca vendimtare nesër në ora 14:00

Sipas afateve kushtetuese, Konjufca ka kohë deri më 19 nëntor për të paraqitur kabinetin para Kuvendit. Por burime parlamentare kanë konfirmuar se nesër në ora 14:00 është caktuar seanca për tentimin e votimit të Qeverisë së tij.

Me partitë kryesore opozitare të vendosura kundër, skenari më i mundshëm është që tentativa e dytë të dështojë – njëjtë si ajo e 26 tetorit.

A po vijnë zgjedhjet e reja?

Pas 19 nëntorit, presidentja Osmani mund të shpallë menjëherë zgjedhjet e reja, ose të presë deri në përfundimin e afatit 60-ditor që rrjedh nga nominimi i mandatarit të parë.

Albin Kurti ka paralajmëruar publikisht se vendi mund të shkojë dy herë në zgjedhje brenda muajve:

“Mund të kemi zgjedhje në dimër dhe zgjedhje në pranverë,” ishte deklarata e tij pas dështimit të parë në Kuvend.

Me skenën politike të ngurtësuar dhe bllokimin e plotë të procesit të formimit të Qeverisë, zgjedhjet e reja duken gjithnjë e më të pashmangshme.

Në këtë klimë tensioni politik, seanca e nesërme në ora 14:00 pritet të jetë përcaktuese për rrugën e mëtejme të shtetit – mes një tjetër përpjekjeje të pasuksesshme për qeverisje, ose hapjes së rrugës drejt kutive të votimit.

Related Articles