Më 5 nëntor të vitit 2020, presidenti në atë kohë, Hashim Thaçi, dha dorëheqje nga ky post, pasi iu konfirmua nga Gjykata Speciale aktakuza për krime lufte. Në po të njëjtën ditë ai u arrestua, bashkë me ish-kryeparlamentarin Kadri Veselin e ish-deputetin Rexhep Selimi, shkruan Gazeta Enigma.
Të tre u dërguan në parabugim në Hagë, ku iu bashkuan ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili ishte arrestuar një ditë më herët.
Tash e katër vjet, “Thaçi dhe të tjerët” mbahen në parabugim në Hagë, ani se shumë herë patën kërkuar që të gjykohen në liri, derisa të jepet verdikti. Megjithatë, Dhomat e Specializuara kanë hedhur poshtë këto kërkesa, me arsyetimin se të dyshuarit mund të ndikojnë tek provat dhe dëshmitarët.
Kurreshtja se kur do të përfundojë i gjithë ky gjykim është rritur ndër vite, ndërkohë që të mërkurën për këtë çështje foli vetë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Ajo deklaroi se rasti kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të përfundojë në prill të vitit 2025.
Trendafilova theksoi se procesi gjyqësor është duke ecur përpara dhe se puna e gjykatës po vazhdon me intensitet të lartë, pavarësisht sfidave të natyrshme që lidhen me natyrën e çështjeve të tilla.
“Kjo është politikë e fortë që është kryer në një sërë konferencash me palët. Numri fillestar i dëshmitarëve ishte 152, e pastaj Prokuroria tha se mund të shtojë të tjerë me numër të përgjithshëm 350. Kjo është një prej të dhënave që është marrë për efikasitetin në këtë rast. Shumë hapa janë ndërmarrë, mendimi i gjyqtarëve është se ndoshta prokurori mund të përfundojë rastin në fillim të prillit, ndoshta edhe më herët”, tha Trëndafilova para mediave.
E para e Speciales tregoi se Prokuroria i ka komunikuar se janë 43 dëshmitarë dhe data e fundit është më 8 prill për t’i dëgjuar, teksa ka përmendur edhe faktin se Prokuroria ka vendosur për t’i larguar 14 dëshmitarë.
“Thaçi dhe të tjerët do të lirohen”
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, shprehet i bindur se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi do të lirohen nga akuzat, pasi sipas tij, të lartpërmendurit kanë pasur përgjegjësi komanduese në UÇK dhe se nuk e kanë pasur të mundur ta dinë se çka ndodhë në çdo cep të Kosovës.
“Unë besoj se do të lirohen nga akuzat, për shkak se akuzohen për përgjegjësi komanduese dhe jo përgjegjësi individuale. Uçk nuk ka pasur një strukturë të mirëfilltë organizative, nuk ka pasur një hirearki, janë sillur lartë poshtë, kështu që shtabi i UCK-së nuk ka mundur të ushtrojë kontrollë në tërë territorin e Kosoves dhe të dijë se cka ka ndodhur në zona të ndryshgme operative. Prandaj besoj se sa i përket përgjegjësisë komanduese, do të lirohen”, tha Rrecaj në një prononcim për Gazetën Enigma.
Se gjykimi do të përfundojë në vitin 2025 e thotë edhe Rrecaj.
“Është parashikuar që ky proces gjyqësor do të zgjatë. Ka pasur frikë se mund të zgjatë edhe më tepër, por me reduktimin e dëshmitarëve nga ana e prokurorisë, besoj që në vitin e ardhshëm do të përfundojë procesi gjyqësor në shkallë të parë, e që është një kohë relativisht e arsyeshme, për përfundimin e një procesi kaq kompleks, me kaq shumë dëshmitarë dhe me kaq shumë prova. Besoj që deri në fund të vitit të ardhshëm mund të jepet aktvendimi, nëse nuk dalin pengesa të paparashikuara”, deklaroi Rrecaj.
Avokati thotë se katërshja është dashur të gjykohen në liri, pasi që edhe vetë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara.
“Mendoj se këta nuk është dashtë fare të arrestohen apo të paraburgosen, është dashur të gjykohen nga liria, pasi që nga fillimi i hetimeve, këta kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me prokurorinë e Dhomave të Specializuar dhe më vonë edhe me Gjykatën. Mirëpo, ja që gjykata po mendon ndryshe. Frika e vetme e gjykatës që të mos i lirojë është pengimi i provave apo dëshmitarëve, pra mendojnë se mund të ndikojnë”.
Optimizmi i ish krerëve se Trumpi do të ndikojë në Speciale
Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, thotë se administrata e re që do të vie së shpejti në Shtetet e Bashkuara, do të jetë më në favor të përshpejtimit të procedurave dhe ndryshimeve që do të ndodhin në procesin e Gjykatës së Hagës.
“Ka procedura shumë të gjata por unë po shpresoj që pas ndryshimeve politike që ndodhën në Amerikë, edhe ndryshimeve që po ndodhin në proces, me përfundimin e dëshmive nga dëshmitarët e prokurorisë, besoj që nuk ka ndonjë arsye që të mos lirohen ata dhe të mbrohen në liri. Unë besoj që ndikimi i ndryshimeve politike gjithmonë është në trend nëpër gjykata, sepse unë besoj që admininistrata e re që do të vie në Amerikë do të jetë më në favor të përshpejtimit të procedurave dhe ndryshimeve që do të ndodhin në procesin e Gjykatës së Hagës”.
Edhe Buja shpreht i bindur se këtij procesi “do t’i vie fundi me lirimin e bashkëluftëtarëve të mi, edhe me konfirmimin e luftës çlirimtare, luftë e cila e solli lirinë dhe shtetin e Kosovës”.
“Mendoj se deri në qershorin e vititi 2026 do të përfundojë i gjithë procesi. Shpresoj që në emër të popullit të Kosovës, të lirohen ata që qytetarët e Kosovës i shohin si simbole të lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës”, tha Buja për “Enigmën”.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. /GAZETA ENIGMA