Një muaj nga ankesa e AAK-së në Kushtetuese – Ngërçit politik s’i shihet fundi

Një muaj nga ankesa e AAK-së në Kushtetuese – Ngërçit politik s’i shihet fundi

Për herën e 33-të, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet pasi Komisioni për kalimin në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk ka marrë votat e nevojshme, shkruan Gazeta “Enigma”.

E teksa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me vendim, deri në përfundimin e afateve ligjore për përgjigje nga ky organ mund të mbahen edhe së paku 10 seanca me epilog dështimi në Kuvend.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur edhe nga deputetë të LDK-së dhe PDK-së, qysh më 12 maj 2025 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e refuzimit të këtij propozimi, si dhe vendimeve të tjera të ngjashme të marra gjatë seancave të mbajtura më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, nga kjo Gjykatë kanë bërë me dije se çështja është në shqyrtim dhe vendimi do të merret pas analizimit të të gjitha aspekteve kushtetuese, duke njoftuar me kohë palët e interesuara dhe publikun.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni,” thuhet shkurtimisht në përgjigje.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, po synon gjithashtu të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje.

Sipas këshilltarit të saj, Bekim Kupina, ekipi ligjor i Presidentes tashmë ka përgatitur një draft të lëndës që mund të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, po pritet vendimi për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja, i cili pritet të ndihmojë në sqarimin e aspekteve procedurale të çështjes.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor i Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund të sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra, nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë,” ka thënë Kupina për Gazetën “Enigma”.

Sytë kah Kushtetuesja – Edhe një muaj afat

Avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka vlerësuar si të duhur adresimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së ndryshimit të formës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nga votimi i hapur në të fshehtë, siç ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në prononcimin e tij, Bajraktari ka sqaruar afatet ligjore për Gjykatën Kushtetuese dhe ka ngritur pyetje mbi interpretimin e mungesës së kuorumit në procesin e vendimmarrjes.

“Referuar Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata ka afat 60 ditë për të vendosur lidhur me kërkesën, afat i cili fillon të llogaritet nga dita e dorëzimit të kërkesës në Gjykatë,” ka thënë Bajraktari për “Enigma”.

Më tej, ai ka shtuar se “Pavarësisht vendimmarrjes nga ana e Gjykatës, është e rëndësishme të theksohet se situata në Kuvend para se gjithash është krizë politike. Prandaj, është shumë e rëndësishme që subjektet politike, e para se gjithash subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje, ta kuptojë se reflektimi i tyre është i domosdoshëm,” theksoi ai duke nënvizuar nevojën për zgjidhje politike përtej asaj ligjore.

Bajraktari gjithashtu ka vënë në dukje se “Mbetët të shihet se si do ta trajtojë Gjykata Kushtetuese çështjen e vendimmarrjes, në rastin konkret, dhe se a konsiderohet apo jo vendimmarrje edhe rastet kur kemi mungesë kuorumi, përkatësisht mos marrje pjesë në votim të numrit të nevojshëm të deputetëve,” duke treguar se çështja mund të ketë implikime të ndërlikuara juridike.

Edhe Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuesja duhet të vendosë brenda një afati prej 60 ditëve.

“Në rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve. Megjithatë, në praktikë, jo në të gjitha rastet Gjykata Kushtetuese ka arritur që ta respektojë këtë afat ligjor, ashtu siç në disa raste, vendimmarrja ka zgjatur deri në mbi 1 vit,” ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse Kushtetuesja vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese, afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër.

“Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese, afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër,” tha Miftaraj./Gazeta Enigma/

Related Articles