Nuk u kompensuan për orët shtesë, disa pjesëtar të FSK-së e padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo e fundit e mohon

Nuk u kompensuan për orët shtesë, disa pjesëtar të FSK-së e padisin Ministrinë e Mbrojtjes, kjo e fundit e mohon


Disa pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës tash e sa muaj nuk janë kompensuar për punën që e kanë kryer jashtë orarit dhe orëve të kujdestarisë, për çka tashmë kanë ngritur padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan Gazeta Enigma.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë, në raportin e publikuar për pasqyrat financiare vjetore të ministrisë së mbrojtjes për vitin 2023.

Në raportin e ZKA-së për vitin 2023 të Ministrisë së Mbrojtjes, është thënë se puna jashtë orarit e pjesëtarëve të FSK-së për kompensimin me ditë pushimi në rastet kur mbahen kujdestari, nuk është e rregulluar me ndonjë procedurë të shkruar.

Madje në raport thuhet se Ministria e Mbrojtjes në mungesë të buxhetit e aplikon kompensimin me ditë pushimi.

“Ligji për Pagat në Sektorin Publik, Neni 36 përcakton se zyrtarët publik dhe kategoritë e tjera të të punësuarve që paguhen nga buxheti i shtetit përfitojnë kompensim në vlerë monetare apo me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjavë, punën në ditët e festave zyrtare. Por, edhe mund të kërkojnë nga punëdhënësi që në vend të kompensimit në pagë, kompensimi të bëhet me ditë pushimi”, thuhet në raport.

“Ministria në mungesë të buxhetit e aplikon kompensimin me ditë pushimi. Gjatë analizimit të punës jashtë orarit të pjesëtarëve të FSK-së që e ushtrojnë këtë aktivitet kemi vërejtur se kompenzimi me ditë pushimi në rastet kur mbahen kujdestari nuk është i rregulluar me ndonjë procedurë të shkruar mbi të drejtat që pjesëtarëve ju takojnë për pushim kur ata kujdestarojnë natën apo vikendeve. Nuk ka një procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për tu kompensuar me ditë pushimi. Bazuar në të dhënat e analizuara shihet se FSK e aplikon dhënien e nga një dite pushim edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë me arsyetimin e mungesës së stafit”, thuhet tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Tutje, në raport thuhet se kjo ndikon në motivin e pjesëtarëve, teksa paraqet edhe rrezik që Ministria e Mbrojtjes mund të ballafaqohet edhe me padi gjyqësore.

 “Kompensimi jo i duhur qoftë financiar apo me ditë pushimi përveç që ndikon në motivim të pjesëtarëve gjithashtu paraqet rrezik që Ministria të ballafaqohet edhe me padi gjyqësore që do të kishin ndikim financiar duke shkaktuar edhe shpenzime tjera gjyqësore/përmbarimore”.

Ndërkohë një gjë e tillë tashmë ka ndodhur, shkruan tutje Gazeta Enigma.

Avokati, Zahir Hamza, përfaqësues ligjor i disa pjesëtarëve të FSK-së, për Enigmën ka thënë se tashmë kanë dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, rreth mos-kompensimit të plotë të punës që kanë kryer jashtë orarit.

“E kemi dorëzuar padinë ndaj Ministrisë së Mbrojtës, për mos-kompensimin e plotë të punës që kanë kryer jashtë orarit. Emra nuk mund të jap, mirëpo është një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve që kanë dorëzuar padinë”, ka thënë avokati Hamza.

Gazeta Enigma i drejtoi pyetje edhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë thënë se janë duke e trajtuar rastin, porse kanë theksuar se nuk kanë pranuar padi nga ndonjë pjesëtar i FSK-së.

“Të gjeturat e Zyres Kombëtare të Auditorit i kemi pranuar dhe sigurisht kjo çështje kërkon trajtim nëse kompensimi me ditë të lira nuk është zbatuar gjatë gjithë kohës. Meqenëse Ligji për Pagat në Sektorin Publik, ashtu si dhe Rregullorja (QRK) Nr. 02/2020 për Pagat, Shtesat Mbi Pagë dhe Kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht Neni 13 i kësaj rregullore rregullon kompensimin e pjesëtarit të FSK-së për punën jashtë orarit, punën me ndërrime, gjatë ditëve të festave dhe ditëve tjera, që është pushim me ditë të lira brenda afatit prej 60 ditësh me aprovimin e udhëheqësit të drejtpërdrejtë të pjesëtarit, kjo çështje në aspektin ligjor është e qartë dhe është aplikuar ndër vite, andaj Ministria e Mbrojtjes beson që do të merren masa në implementim të plotë në kohë nga ana e akterëve përgjegjës të FSK-së të paracaktuar sipas rregullores”, thuhët në përgjigjjen me shkrim të Ministrisë.

Ata theksojnë se “Për këtë çështje nuk është ngritur asnjë padi” pasi siç thonë ata “edhe gjatë kësaj kohe orët shtesë janë kompensuar me ditë të lira por ashtu siç edhe thekson auditori vërejtja ka qenë që nuk është zbatuar në plotni, prandaj ritheksojmë se kjo çështje rregullohet përmes zbatimit të rregullores”. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles