Organizata joqeveritare Linja e Jetës ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me humbjen e jetës së një personi, ku pamjet e lidhura me ngjarjen janë shpërndarë në disa platforma mediale, shkruan Gazeta Enigma.
Në një deklaratë zyrtare, organizata u bën thirrje mediave dhe individëve që posedojnë informacione ose pamje të ngjarjes të mos i shpërndajnë ato, për të respektuar privatësinë e viktimës dhe familjes së saj.
Sipas Linjës së Jetës, shpërndarja e pamjeve të tilla jo vetëm që shkakton shqetësim të madh për publikun, por edhe cënon dinjitetin e viktimës dhe familjes. Organizata inkurajon raportimin e çdo përmbajtjeje të tillë në platformat sociale dhe shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe të afërmit e personit të ndarë nga jeta.
Gjithashtu, Linja e Jetës rikujton se shërbimet e saj janë të disponueshme për këdo që ka nevojë për mbështetje emocionale apo dëshiron të diskutojë shqetësimet e tyre lidhur me rastin. Ata mund të kontaktohen përmes numrit 0800 12345 ose në chat-in e platformës, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 02:00.
Linja e Jetës thekson përkushtimin për të qenë pranë komunitetit në momente të vështira dhe bën thirrje për ndjeshmëri e respekt në trajtimin e rasteve të tilla tragjike.