Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se njohja nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e saj ndaj Rusisë.
Në hyrjen e samitit për Ukrainën në Tiranë, Osmani e pyetur se a do ta kërkojë njohjen nga Ukraina, ka thënë se Kosova mirëkupton gjendjen e jashtëzakonshme me të cilën përballet populli ukrainas.
“Janë çështje bilaterale. E kemi bërë gjithmonë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte dhe po lufton për lirinë e saj, pavarësinë e saj dhe vlerat që janë aq të rëndësishme për secilin prej nesh. Jam e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, ka thënë Osmani.
Ajo e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë samit. Sipas saj, aty do të ofrohet mbështetja e Kosovës për Ukrainën. “Ka rëndësi sepse do të kemi mundësi që si aleatë në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën siç kemi bërë që nga dita e parë e invazionit të paprovokuar dhe ilegal të Rusisë ndaj Ukrainës, duke vendosur sanksione, duke mbështetur qytetarët e Ukrainës, duke mbështetur ushtrinë ukrainase. Do ta bëjmë edhe tash e tutje. Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim dhe natyrisht do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, ka thënë Osmani.