Osmani: Për Asociacionin duhet një model kosovar, s’mund të merren copy-paste modelet tjera

Osmani: Për Asociacionin duhet një model kosovar, s’mund të merren copy-paste modelet tjera

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico”, ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Osmani ka thënë se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 s’e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe si të tilla janë të pa implementueshme në masë të gjerë.

Megjithatë thotë se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje këtë vit, fillimisht në Bruksel dhe më pas edhe aneksin e implementimit në Ohër, ku tregohet se si do të rregullohen të drejtat e serbëve në të ardhmen. Kur e thotë këtë, Osmani thekson se nga këto marrëveshje dalin edhe obligimet të qarta për Serbinë, që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

“Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të cilat kanë të bëjnë me Asociacionin, kanë përfunduar në Gjykatës Kushtetuese, ku janë gjetur 23 shkelje. Por marrëveshjet kanë paraparë që duhet ta kalojnë testin e Kushtetueses për të qenë të implementueshme.

Meqë nuk e kaluan testin, janë të pa implementueshme në pjesë të mëdha.

Çfarë ka ndodhur në muajt e fundit është se ka pasur progres, sepse një marrëveshje e re është arritur në Bruksel dhe aneksi i saj i implementimit në Ohër, të cilat tregojnë se si do të rregullohen të drejtat e serbëve në të ardhmen.

Por në të njëjtën kohë është një marrëveshje që ka krijuar obligime të qarta edhe për Serbinë, për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë presidentja Osmani për “Politico”.

Presidentja Osmani tutje ka thënë se ajo çfarë ka kërkuar Kosova është që derisa implementon obligimet e saj, përfshirë edhe Asociacionin, në të njëjtën kohë të implementohet e gjithë marrëveshja, duke potencuar se s’mund të ketë përqendrim vetëm tek neni 7 dhe të anashkalohen Nenet nga 1 deri në 6.

“Ajo çfarë kemi kërkuar është që derisa e implementojmë obligimet tona, edhe kur flasim për një Asociacion të Komunave Serbe që krijon trupa koordinuese në mes të komunave ose kur flasim për avancim të të drejtave të minoriteteve në Kosovë, në të njëjtën kohë kërkojmë që e gjithë marrëveshja të implementohet. Dhe s’mund të ketë fokus vetëm në nenin 7 dhe të anashkalohen nga 1 deri në 6.”, ka sqaruar presidentja Osmani.

Ajo tutje ka thënë se Kosova është plotësisht e vetëdijshme për obligimet që i ka marrë dhe se duhet implementuar ato.

Kur ka folur për Asociacionin, Osmani ka thënë se kanë propozuar disa dispozita se si mund të duket dhe se për një gjë të tillë janë inspiruar nga disa modele. Shefja e shtetit thotë se s’mund të merret një model thjeshtë copy-paste dhe se është e nevojshme gjetja e një modeli kosovar.

“Po ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që kemi marrë obligime dhe duam t’i implementojmë ato. Në tashmë kemi propozuar disa dispozita se si kjo mund të duket. Jemi inspiruar nga disa modele të ndryshme por në përgjithësi ka nevojë për gjetjen e një modeli kosovar. Sepse ti s’mund që thjesht të bësh copy-paste të modeleve dhe të thuash se ky ka funksionuar në shekullin e XIX apo që ka funksionuar në një vend ku s’ka pasur luftë apo që ka funksionuar në një vend që s’kanë një fqinj agresiv që në mënyrë të vazhdueshme përpiqet të minojë pavarësinë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Osmani ka thënë se për një model të tillë kosovar të Asociacionit që s’e minon funksionimin e Kosovës si shtet, po punohet edhe me partnerët dhe se ka një progres konstant. Por shton se Serbia në mënyrë të vazhdueshme bën akte destruktive, duke shkelur integritetin territorial e duke rrëmbyer polic brenda territori të Kosovës.

“Ky do të jetë një model kosovar që s’e minon funksionalitetin tonë si shtet. Pra, po, po punojmë në të bashkë me partnerët. Ka një progres konstant, por derisa po flasim Serbia në mënyrë të vazhdueshme shkel integritetin tonë territorial, rrëmben polic në territorin tonë, dhe ata që po vuajnë më shumë janë serbët e Kosovës sepse ata janë nën kërcënime të vazhdueshme të këtyre njerëzve”, ka thënë për “Politico” presidentja Vjosa Osmani.

Related Articles