Zyra e Presidentes, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Enigma këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.
Zyra e Presidentes ka konfirmuar gjithashtu se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit pa analizuar dokumentacionin e pranuar dhe pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.
“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.
Ndër të tjera, Osmani thekson se kandidati i propozuar duhet të plotësojë edhe kriterin e integritetit mes tjerash.
“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.
Procesi i përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, ashtu si edhe nga ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.