Pa ndalesa ne kufi, dakordohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë

Pa ndalesa ne kufi, dakordohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë

Para sezonës së verës së ardhshme qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi, ka thënë ministri i brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi, raporton Gazeta Enigma.



Ai tha se kanë rënë dakord me homologun e tij Sveçla që të vendosin një sistem kamerash në kufi dhe makinat të qarkullojnë pa ndaluar fare.

“Nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, tha Çuçi.

Ai poashtu tha se gjatë fundjavës së festave të nëntorit s’do të ketë kontrolla në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha Çuçi. /Gazeta Enigma/.

Related Articles