Në një intervistë për Gazetën Enigma, ish-presidenti i Kosovës i cili është një nga figurat më të zëshme të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka folur për stagnimin me të cilin Kosova u përball vitet e fundit në procesin e njoheve, si dhe mungesën e vizionit strategjik nga ana e institucioneve vendore në diplomaci, shkruan Gazeta Enigma.
Ai ndër të tjera tregon rrugën që duhet të ndjekin institucionet kosovare për të gjeneruar “valë të re njohjes”.
“Në vend që të ndërtonte mbi momentumin e njohjeve të mëparshme, Kosova ka dështuar të shfrytëzojë zhvillimet pozitive në peizazhin ndërkombëtar, përfshirë sinjalet inkurajuese nga disa vende afrikane si Sudani, që janë të ndikuara nga lëvizje të vendeve si Kenia”, thotë Pacolli për Gazetën Enigma teksa shton se “stagnimi aktual në procesin e njohjeve është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së një vizioni strategjik dhe të koordinuar nga ana e institucioneve të Kosovës”.
Pacolli i cili ia sjelli njohjen e parë pas katër viteve Kosovës nga Kenia, thotë se “vitet e fundit, është bërë e dukshme që nuk ka pasur as vullnet politik e as përkushtim institucional për të ndjekur një diplomaci të orientuar drejt rritjes së numrit të njohjeve”.
“Kjo është shoqëruar edhe me një paaftësi për të kuptuar se si funksionon efekti zinxhir në njohjen e shteteve, veçanërisht në kontekste si ai afrikan, ku një shtet si Kenia mund të krijojë precedent që pasohet nga të tjerë. Në vend që të shfrytëzohet ky moment, Kosova ka mbetur e ngërthyer në kriza të brendshme dhe një qasje të izoluar në politikën e jashtme”.
Teksa këtë situatë e quan “dështim”, i cili sipas tij “është shumë më i gjerë se vetëm diplomacia — ai është institucional”.
Pacolli vlerëson se “Diplomacia pa një strategji shtetërore nuk mund të jetë efektive”.
“Është e qartë se mungon një vullnet i koordinuar politik dhe një udhëzim i qartë për diplomacinë, që të jetë proaktive në ndjekjen e njohjeve”
Por cila është rruga e drejtë për Kosovën, sipas Pacollit.
“Për ta zhbllokuar këtë proces, nevojitet urgjentisht një qasje e re — që nuk shkon vetëm drejt aleatëve tradicionalë, por që njeh potencialin e partnerëve të rinj, si shumë shtete afrikane që janë në lëvizje. Njohja nga Kenia duhet të shihet si pikë kthese dhe mundësi për të gjeneruar një efekt zinxhir në kontinent. Por kjo ndodh vetëm nëse Kosova ka një ekip diplomatik që ndjek, kultivon dhe mbështet këto linja të reja kontakti. Për më tepër, kërkohet përfshirje më e gjerë e qeverisë dhe shoqërisë në formësimin e një strategjie të re të njohjeve — përndryshe, procesi mbetet i bllokuar”, shton ai për Enigmën.
Sipas Pacollit ekziston lodhje dhe zhgënjim nga mungesa e progresit në Kosovë. “Shtetet aleate, veçanërisht SHBA dhe BE, kanë treguar gatishmëri të përsëritur për të ndihmuar, por ndihma nuk mund të jetë e pakushtëzuar kur mungon përkushtimi nga ana e Kosovës për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare”.
Teksa flet për mungesën e njohjeve sipas Pacollit, “shumë vende nuk e shohin më Kosovën thjesht si produkt të ndërhyrjes perëndimore”
Kosova sipas tij duhet të dëshmojë “është një aktor ndërkombëtar serioz, i besueshëm dhe me kapacitet për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme”.
Në fund ai shton se nëse Kosova e përdor siç duhet momentumin e njohjes nga Kenia dhe e ndërlidh me vende si Sudani dhe të tjera në Afrikë që janë të hapura, “ajo mund të gjenerojë një valë të re njohjesh”.
“Por për këtë duhet vizion, diplomaci aktive dhe mbi të gjitha vullnet politik. Pa to, nuk do të ketë përparim”.
Kosova së fundmi u njoh nga Republika e Kenias dhe Sudani./GazetaEnigma