Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, të premten (sot), vjen në Prishtinë, raporton Gazeta Enigma.
Kjo vizitë po vlerësohet si në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha të enjten zëdhënësi i bllokut Peter Stano.
I dërguari evropian Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do të jetë pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve të të dyja palëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi pas paralajmërimeve nga një grup i serbëve për mbylljen e vendkalimeve kufitare me Kosovën për shkak të zhvillimeve në veri.
Një grup qytetarësh në Serbi, tha se synon që nga dita e premte të bllokojë vendkalimet kufitare me kërkesën për tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.