Parlamenti i Evropës sapo miratoi Direktivën e Bashkimit Evropian kundër Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP), raporton Gazeta Enigma.
Kështu njoftoi aktivistja për lirinë e medias, Flutura Kusari përmes “Facebook”.
“Gazetarët, mediat dhe aktivistët do të jenë më të mbrojtur nga paditë e pabaza të cilat bëhen nga avokatët dhe paditësitë e këqinjë me qëllim të frikësimit dhe dekurajimit të tyre”, tha Kusari.
Tutje ajo shtoi se “Jam jashtëzakonisht e lumtur që si anëtare e Grupit të Ekspertëve të Komisionit Europian kam ndihmuar në draftimin e direktivës bashkë me dhjetra ekspertë të tjerë. Puna e Grupit të Ekspertëve do të vazhdojë në zbatimin e direktivës në praktikë”.
Por çka nënkupton ky ligj?
Direktiva është ligj i Bashkimit Europian i cili duhet të zbatohet tek shtetet anëtare dhe shtetet që aspirojnë t’i bashkohen BE-së.
Direktiva parasheh disa masa, garancione procedurale dhe mjete juridike që do të ndihmojnë në mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve nga paditë SLAPP. Ky ligj duhet të transpozohet dhe transpozimi mund të bëhet a) duke draftuar dhe aprovuar Ligj Kundër Padive SLAPP dhe b) duke ndryshuar disa ligje për të akomoduar kërkesat e direktives. Njëkohësisht, institucionet tjera si Oda e Avokatëve, Odat Ekonomike etj të gjitha mund të marrin masa në zbatim të kësaj direktive.
Elementet kryesore të direktivës janë:
Refuzim i hershëm i padive të pabaza – direktiva ua mundëson shteteve anëtarë që të rregullojnë ligjerisht refuzimin e hershëm të padive abuzive. Për shembull, nëse një biznismen, një person që ushtron një funksion publik ose kushdo tjetër ushtron padi të pabazuar kundër gazetarëve, gjykatat do të kenë mundësi që ato padi t’i refuzojnë sa më herët në procedurë, duke mos pritur që të kalojnë dhjetë vite.
Sigurimi i shpenzimet dhe dëmet – gjykata do të ketë të drejtën që të obligojë paditësin të paguajë shpenzimet e procedurës dhe dëmet eventuale para fillimit të gjykimit.
Barra e provës – barrën për të provuar që padia është e bazuar do ta bartë paditësi që ushtron padinë.
Shpenzime e procedurës – paditësit që kanë ushtruar padi abuzive do të obligohen që të pagujnë të gjitha shpenzimet procedurale, përfshirë shpenzimet e avokatëve të të paditurëve.
Dënime dhe masa tjera – do të jetë e mundshme që të shqiptohen dënime për të gjithë ata që ushtrojnë padi abuzive apo sanksione tjera si publikimi i aktgjykimit ose kompenzimi i dëmeve.
/ GAZETA ENIGMA.