Në një kohë kur vendi pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e shpërndarjes së Kuvendit, aktivitetet e fundit publike të presidentes Vjosa Osmani po interpretohen nga një pjesë e spektrit politik dhe analistëve si fillim i hershëm i një fushate elektorale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Vendimi i Gjykatës pritet të sqarojë nëse dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me Kushtetutën, si dhe të përcaktojë rrugën e mëtejshme institucionale, nëse ekziston ende hapësirë për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi aktual apo nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Dekreti i Osmanit erdhi pasi nuk u sigurua mbështetje e mjaftueshme politike për zhvillimet e mëtejshme institucionale, në një kontekst të tensionuar raportesh me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj, kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurti.
Derisa vendi është në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, presidentja ka intensifikuar paraqitjet publike dhe komunikimin politik, çka nga kritikët po cilësohet si pozicionim i hershëm elektoral.
Osmani: Nuk po bëj fushatë, po falënderoj qytetarët
Gjatë një vizite në qytetin e Mitrovicës, presidentja Osmani u pyet nga gazetarët se mos ka nisur një fushatë në kuadër të vizitave që po zhvillon në qytete të ndryshme të Kosovës.
Osmani vizitat që po i zhvillon i ka cilësuar si falënderim ndaj qytetarëve që i kanë dhënë përkrahje përgjatë këtyre pesë viteve.
“Aludimet janë të pasakta. I falënderoj qytetarët për përkrahjen, për dashurinë që na kanë dhënë, për faktin që kanë qenë pranë nesh çdo ditë përgjatë këtyre pesë viteve edhe për nderin e madh që ma kanë dhënë që t’i përfaqësoj ata brenda dhe jashtë, përgjatë këtyre viteve. Pra thjesht janë takime falënderimi, siç i patë edhe shumë prej këtyre që sapo i patëm këtu”, tha Osmani.
“Veprime për fushatë dhe karrierë”
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, tha se aktivitetet e fundit të presidentes Osmani kanë krijuar përshtypjen se po bëhet fushatë politike për zgjedhjet e ardhshme nga vetë presidentja Osmani.
“Intensifikimi i dukshëm i aktiviteteve publike nga ana e presidentes Vjosa Osmani në javët dhe muajt e fundit ngre dilema legjitime nëse kemi të bëjmë thjesht me ushtrim të detyrave kushtetuese apo me një fazë të hershme të pozicionimit politik për të ardhmen, pasi përtej agjendës zyrtare, mënyra e komunikimit publik, përzgjedhja e temave dhe ekspozimi mediatik krijojnë përshtypjen e një narrative të ndërtuar për të konsoliduar profilin personal politik, gjë që në rrethana normale mund të konsiderohet e pranueshme për një figurë partiake, por bëhet problematike kur vjen nga një pozitë që në thelb duhet të jetë mbi palët dhe unifikuese për të gjithë qytetarët”, tha ai.
“Është e vërtetë që në praktikën ndërkombëtare nuk është e pazakontë që figura institucionale të rrisin aktivitetin publik në periudha të ndjeshme politike apo para zhvillimeve të rëndësishme, mirëpo dallimi qëndron tek qëllimi dhe perceptimi publik, sepse kur ky intensitet shoqërohet me mesazhe që mund të interpretohen si pozicionime politike, atëherë lind dyshimi i arsyeshëm se kemi të bëjmë me përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe për të ndërtuar mbështetje qytetare përtej mandatit kushtetues”, u shpreh juristi.
Ai tha se këto veprime të Osmanit nuk janë “në përputhje me frymën e funksionit që ajo ushtron dhe rrezikon të zbehë rolin e saj si garantuese e unitetit institucional”.
“Në këtë linjë, aktivitetet e fundit të presidentes mund të lexohen si pjesë e një strategjie për të krijuar kapital politik personal, gjë që për mendimin tim nuk është në përputhje me frymën e funksionit që ajo ushtron dhe rrezikon të zbehë rolin e saj si garantuese e unitetit institucional”, tha ai.
Ai tha se është evidente se ka raport të tensionuar mes Osmanit dhe Kurtit, dhe se ka dallime në pikëpamjet politike.
“Sa i përket raportit aktual mes presidentes dhe kryeministrit Albin Kurti, është evidente se kemi një raport të tensionuar dhe një mungesë të theksuar harmonie institucionale, e cila nuk është thjesht çështje komunikimi, por reflekton divergjenca të thella në qasje politike dhe në vizionin për drejtimin e shtetit, dhe nga këndvështrimi im kjo situatë vjen si pasojë e një largimi gradual të presidentes nga linja politike që përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje dhe nga pritshmëritë që qytetarët kanë pasur kur ajo ka marrë këtë mandat; në vend që të shërbejë si një faktor stabiliteti dhe koordinimi ndërinstitucional, kemi parë shpesh një qasje që thellon ndarjet dhe krijon perceptimin e një gare të brendshme për ndikim politik”, shtoi ai.
Ai gjithashtu foli mbi vendimin që pritet të vijë nga Gjykata Kushtetuese.
“Për sa i përket skenarëve më të mundshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, situata mbetet e hapur dhe e ndjeshme, pasi në varësi të përmbajtjes së vendimit dhe mënyrës se si ai interpretohet nga akterët politikë, mund të kemi disa zhvillime të ndryshme, duke filluar nga një thellim i mëtejshëm i krizës institucionale dhe polarizimit politik, deri tek një rikonfigurim i raporteve të pushtetit që mund të përfshijë edhe zgjedhje të parakohshme apo ndryshime në aleancat politike, mirëpo ajo që mbetet thelbësore është që çdo veprim dhe reagim të jetë i bazuar në respektimin e Kushtetutës dhe rendit juridik, dhe jo në kalkulime të ngushta politike, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet stabiliteti institucional dhe besimi i qytetarëve në shtetin e së drejtës”, përfundoi Halilaj.
Analisti Leon Duhanaj tha për Gazetën “Enigma” se presidentja Osmani po përgatitet për një luftë mediatike me ish-aleatin e saj politik, Albin Kurtin.
“Thjesht e shkurt, ajo tashmë po përgatitet për një luftë mediatike me ish-ortakun. Në anën tjetër, edhe Kurti, pasi e çoi vendin sërish në bllokadë, synon ta zgjasë këtë situatë sa më shumë dhe, ndërkohë, të ndërtojë narrativën se opozita dhe Gjykata Kushtetuese e çuan vendin në zgjedhje”, tha Duhanaj.
Sipas Duhanajt, këto po bëhen për interesa individuale karrieriste.
“Raportet e tendosura mes znj. Osmani dhe z. Kurti janë pasqyrimi më i mirë i shpërfaqjes së egoizmit personal mbi interesat e përgjithshme. Gjithashtu, ato janë pasojë e prishjes së një marrëdhënieje koalicioni të interesave të panatyrshme, të cilat nuk janë ndërtuar mbi parime dhe interes të përgjithshëm, por mbi interesa individuale karrieriste”, tha ai.
“Znj. Osmani i shkeli parimet demokratike për t’i mundësuar Kurtit zgjedhjet në fund të dhjetorit, sepse në atë kohë gjithçka ishte në rregull mes tyre dhe kishin marrëveshje që Kurti ta mbështeste edhe për një mandat. Mirëpo, Kurti e tradhtoi këtë marrëveshje dhe e la në baltë. Kjo sepse Kurti nuk ka besim të ketë një presidente të pavarur. Ai asnjëherë nuk ka pasur besim te znj. Osmani, por ata kanë gjetur një mbështetje të panatyrshme te njëri-tjetri. Ajo e kishte tradhtuar partinë e saj për t’iu bashkuar planit të Kurtit; tani e ka marrë faturën nga një njeri që është edhe më pak i përgjegjshëm se ajo vetë”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/
