Saadi Gaddafi, djali i ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, i cili mbahej në një burg në Tripoli, u lirua në zbatim të një urdhri gjykate.
Lajmi u dha nga ministria e drejtësisë. Saadi, një ish-lojtar i Perugia dhe aksioner i Juventusit, u arrestua nën akuzat për krime të kryera kundër protestuesve në vitin 2011 dhe vrasjen në 2005 të trajnerit libian të futbollit, Bashir al-Rayani.
Djali i tretë i kolonel Gaddafit, mbahej në një burg në Tripoli që nga viti 2014. Saadi kishte një të kaluar si futbollist profesionist dhe në vitin 2003 bëri debutimin e tij në Serie A te Perugia, falë ish-presidentit të klubit Umbrian, Luciano Gaucci. Ardhja e djalit të Gaddafit u festua me një festë luksoze në “Torre Alfina”, në kështjellën e familjes Gaucci.
Por, aventura në ligën italiane e djalit të tretë të Gaddafit nuk zgjati shumë: ai rezultoi me doping pas ndeshjes Perugia-Reggina.
Pas një viti tjetër në Perugia, ndërkohë që ra në Serie B, Gaddafi u transferua në Udinese dhe më pas në Sampdoria. Në vitin 2002 Lafico (Kompania Libiane e Investimeve të Huaja Arabe), e kryesuar nga vetë Saadi, bleu rreth 6.4 milionë aksione të Juventusit, e barabartë me 5.31% të kapitalit.
Pasi u largua nga Italia dhe fushat e futbollit, djali i tretë i Gaddafit, gjatë luftës civile në Libi, iku në Nigeri në shtator 2011. Atje ai u kap dhe u burgos në Tripoli në vitin 2014. Saadi, tani 47 vjeç, ishte i njohur për stilin e tij “playboy” gjatë diktaturës së babait të tij.
Më 19 dhjetor të vitit 2017, familja raportoi se kishin humbur çdo kontakt me të. Në prill të vitit 2018, gjykata e apelit e shpalli të pafajshëm për vrasjen e Rayani, ndërsa tani, pas 7 vitesh e ka liruar.