Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të punojë që shtetit të Kosovës t’i sjellë njohje të reja.
Në një deklarim për media turke, ai ka thënë se çështjen e njohjeve të reja do ta diskutojë edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. E këto deklarata kanë shkaktuar reagime të shumta në Serbi.
Për këtë ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “do të mbrohet”.
“Turqia është fuqi, Erdigani është lider i madh, unë jam i vogël dhe Serbia është më pak e rëndësishme, por nuk është aq e vogël që të mos mundohet të rezistojë, pasi po e mbrojmë tonën. Kjo Kosova nuk është tokë turke, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë. Na mbetet ta mbrojmë”, ka thënë Vuçiq, gjatë turit nëpër qytetet serbe që po e zhvillon tash e sa ditë.
Vuçiq, siç ka thënë, shpreson që Erdogani do ta zbusë këtë qëndrim.
“Ne alternativë nuk kemi. Do të mbrojmë popullin në Kosovë, do të shihni edhe këtë se nuk jemi edhe aq të vegjël”, ka thënë Vuçiqi, përcjell B92 të mërkurën.
Kohëve të fundit retorika konfliktuoze në Serbi ka marrë hov, meqë edhe në pranverë pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare. /Gazeta Enigma/