Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se lufta në Ukrainë po ndodh për shkak të sjelljes së ndryshme të Perëndimit në vende të ndryshme të Europës. Ai përsëriti tezën se shkëputja e Krimesë dhe Republikave Separatiste në Ukrainë është e ngjashme me pavarësinë e Kosovës.
“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë, dhe rusët në Ukrainë jo? Shqiptarët u lejuan të punojnë në këtë drejtim nga Perëndimi”, tha Lavrov në konferencë për mediat pas takimit me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba.
Lavrov tha gjithashtu se “operacioni special”, siç e quan Rusia pushtimin e Ukrainës, po shkon sipas planit. Ai shtoi se furnizimi me armë i Ukrainës është një veprim i rrezikshëm.
“Si do t’i kontrollojnë këto armë? Ato mund të përhapen në të gjithë Europën. Ne nuk kemi plan të sulmojmë shtete të tjera. Nuk e kemi sulmuar Ukrainën. E kemi shpjeguar se kishte një kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe pas disa vitesh që ngritëm alarmin, askush nuk na dëgjoi. Kundër republikave në Donetsk dhe Luhansk ishin planifikuar sulme këtë muaj”, tha Lavrov.
“SHBA po përdor territorin e Ukrainës për të krijuar armë biologjike. As BE nuk e dinte që SHBA po kryente kërkime shkencore të paligjshme në Ukrainë, edhe OKB. Por nuk habitemi se amerikanët e kanë bërë këtë në fshehtësi, siç kanë bërë me shtete të tjera pranë kufirit me Rusinë dhe Kinën”.
Lavrov përsëriti edhe një herë qëndrimin se Ukraina duhet të qëndrojë neutrale, dhe e demilitarizuar dhe pranoi se një takim mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, Putin e Zelensky, do të ndodhë. “Mendoj se do të vijë koha që ky takim do të jetë i domosdoshëm. Por duhet të përgatitemi për këtë. Ne kemi bërë propozimet tona, dhe po presim përgjigje”.