Fondi Sovran mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rezultatet e para pritet të shihen pas pesë vjetësh, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.
Eksperti i çështjeve ekonomike dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se ky fond synon që shteti të bëhet pronar i ndërmarrjeve ekonomike.
Fondit Sovranit pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.
Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.
Në projektligj thuhet se Fondi Sovran do të menaxhojë me pasurinë e rëndësishme të Kosovës duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.
Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran janë:
Korporata Energjetike e Kosovës
Telekomi i Kosovës
Posta e Kosovës
Kombinati metalurgjik Trepça
Trainkos-i
Infrakos-i
Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.
Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.
Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.
Fondi Sovran, sipas projektligjit, po ashtu ka në funksion edhe themelimin e ndërmarrjeve të reja si dhe mund të investojë në tregje financiare dhe tregje të kapitalit brenda dhe jashtë vendit.
Çfarë thonë ekspertët?
Ish-drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, thotë se projektligji i Fondit Sovran është kualitativ dhe mund të ofrojë mundësi të një zhvillimi ekonomik në vend.
Megjithatë, burimet e financimit të propozuara në projektligj janë pakta, thotë Hajdari.
“Gjëja më e rëndësishme në këtë drejtim mbetet financimi i nevojshëm për funksionalizmin e këtyre asteve në dobi të një interesi të dobishëm financiar dhe zhvillimor në vend. Njëzet milionë euro për fillimin e punës së fondit nuk janë të mjaftueshme. Me ato mjete as Hotel Grandin nuk mund ta vësh në funksion e lërë më asete tjera: si miniera, apo projekte turistike si Brezovica”, thotë Hajdari.
Hajdari thotë se përveç tjerash në projektligj paraqitet nevoja edhe për një projeksion të qartë të rezultateve ekonomike dhe zhvillimore që pritet t’i japë fondi për një periudhë pesëvjeçare.
“Personat përgjegjës që do të udhëheqin me këtë fond nëse e kanë një plan konkret dhe projeksione konkrete në terma financiarë, do të jenë më të fokusuar në rritjen e atyre rezultateve”, thotë Hajdari.
Rezultatet e para Fondi Sovran, sipas Hajdarit, mund t’i ketë pas pesë deri shtatë vjetësh.
Kosova, thotë profesori i Ekonomisë, Safet Gerxhaliu, ka nevojë për reformë ekonomike, por për të pasur rezultate të dëshirueshme duhet të ketë stabilitet politik si dhe sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Me këtë projektligj që është bërë, nuk kemi arsye për eufori. Është utopike të mendohet se Fondi Sovran nuk mund të ketë efekte në zhvillim ekonomik në aspektin kohor afatshkurtër”, thotë Gërxhaliu.
Fondit i barten vetëm asetet me potencial zhvillimor
Projektligji ka përcaktuar edhe disa kushte të bartjes së aseteve në pronësi të Fondit.
Për t’u bartur një aset në pronësi të Fondit Sovran, njëra nga kushtet që përcakton projektligji është që aseti duhet të jetë i komercializueshëm dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme.
Ndërkaq, nëse është ndërmarrje, duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë.
Sa i përket potencialit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve tjera, Hajdari, thotë se disa prej tyre, siç është qendra e skijimit Brezovica, minierat, Hotel Grandi kanë një potencial të madh në zhvillimin e përgjithshëm industrial, tregtare dhe turistik.